Godasin me hanxhar 24-vjeçarin, pranga dy vëllezërve
TENTATIVA/ Ylber e Çlirim Laçi e kanë përplasur me makinë e më tej e kanë goditur për ta vrarë Ermal Bicin
KUKËS - Dy vjet më parë, kishte rrahur një shtetas, por dje është gjendur nën gomat e një makine dhe nën goditjet me hanxhar mishi. 24-vjeçari Ermal Bici është shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, por gjithsesi jashtë rrezikut për jetën, ndërsa është sulmuar nga dy vëllezër. Policia ka vënë në pranga dy agresorët, ndërsa shpëtim për 24-vjeçarin kanë qenë punonjës të policisë, të cilët ndodheshin pranë vendngjarjes dhe që kanë ndërhyrë në momentin e duhur. Dy vëllezërit janë vënë në pranga, ndërsa Bici i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për të shpëtuar kockat e këmbëve.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur pranë shkollës "Bajram Curri" të Kukësit rreth orës 10:00. Burime nga policia e Kukësit kanë bërë të ditur se Ylber Laçi, 35 vjeç, dhe Çlirim Laçi, 27 vjeç, kanë sulmuar me automjetin e tyre tip "Benz" shtetasin Ermal Bici, duke e rrëzuar përtokë. Më pas ata e kanë sulmuar të riun me një hanxhar që e përdorin kasapët, duke i shkaktuar plagë të rënda në këmbë, pasi i kanë thyer edhe kockat. Një punonjës i policisë së rendit dhe një tjetër i qarkullimit rrugor, të cilët kanë qenë pranë vendngjarjes duke siguruar provimet e maturës shtetërore kanë ndërhyrë duke neutralizuar veprimet e mëtejshme të agresorëve. Ata kanë kërkuar ndihmë, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë kryer arrestimin e dy vëllezërve.
Policia
Zv.drejtori i Policisë së Qarkut, Xhafer Elezi, shprehet se fakti që punonjësit e policisë kanë qenë në vendngjarje ka qenë një fat për 24-vjeçarin, i cili kështu ka shpëtuar nga vdekja. Ermal Bici është transportuar menjëherë në spitalin e Kukësit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore e më tej është dërguar me helikopter në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Mjeku kirurg Fitim Shini i cili ka trajtuar të plagosurin thotë se ai është jashtë rrezikut për jetën. Sipas Shinit, Bici ka mbërritur në spital me një frakturë të hapur, ku duhej ndërhyrja e menjëhershme e mjekut ortoped, pasi mjeti i mprehtë i kishte dëmtuar kockat.
Mungesa e një mjeku të tillë në spitalin e Kukesit ka bërë që i plagosuri të transportohet për një trajtim të specializuar në Tiranë. Policia ka bllokuar në vendin e ngjarjes hanxharin dhe automjetin tip "Benz"me të cilin autorët e krimit kanë kryer plagosjen. Policia menjëherë pas ndalimit në flagrancë të autorëve të kësaj plagosjeje ka marrë në pyetje të ndaluarit për motivin e krimit. Sipas bluve, autorët kanë sqaruar se viktima Ermal Bici kishte rrahur njërin prej tyre në vitin 2007. Kjo ngjarje e ndodhur para dy vjetëve, sipas policisë, ka qenë e evidentuar, por nuk kanë pasur informacion nëse dy familjet kanë qenë ende në konflikt apo qenë pajtuar. Sipas bluve, njëri prej vëllezërve të ndaluar është emigrant në Francë dhe kishte pak ditë që ishte kthyer në Shqipëri.