E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënoi me mesazhe drejtorin e bankës, dërgohet për gjykim

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Kërcënimi me SMS

Kërcënoi me mesazhe në celular drejtorin e një banke dhe tashmë duhet të përballet me togat e zeza. Dosja hetimore është dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi hetimet për kërcënimin nisën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke pasur parasysh natyrën e sms-ve. Lulëzim Makishti do të dalë në gjyq javën e ardhshme, pasi dosja është dorëzuar në Gjykatë dhe është përcaktuar edhe trupi gjykues. Pesëshja gjykuese do të kryesohet nga gjyqtari Dritan Hallunaj. Tashmë pritet që gjykata të përcaktojë datën për seancën e parë dhe të nisë procesin për gjykimin e 27-vjeçarit Lulëzim Makishti. Hetimet për Makishtin nisën dy muaj para se ai të arrestohej. Makishti i kishte nisur sms kërcënues 43-vjeçarit nga Egjipti, Ehad Shukri Saad, drejtor i një banke arabe në kryeqytet. E ëma e Makishtit ishte pastruese në banesën e shtetasit egjiptian. Fillimisht, prokuroria nuk dyshoi se kërcënimet mund të kishin ardhur nga djali i pastrueses. Por ajo që bëri prokurorinë të dyshojë ishte se mënyra e shkrimit të teksteve të mesazheve dhe përdorimi i emrit të vajzës së egjiptianit në to kishte hedhur dyshimet e para se kërcënimet mund të vinin nga ndonjë i njohur i familjes.
Hetimet
Dyshimet se numrat e telefonit të Saad dhe gruas së tij mund të ishin marrë nga autorët nëpërmjet grave, kanë vënë nën vëzhgim vetë punonjëset dhe familjarët e tyre. Gjatë vënies në vëzhgim të tyre, ndër personat e dyshuar ka qenë edhe djali i njërës prej shërbëtoreve, i kthyer prej pak muajsh nga emigrimi. Në bazë të hetimeve është bërë edhe arrestimi i Lulëzim Makishtit, i ndaluar në ambientet e banesës së tij. Pas komunikimit të akuzës dhe pas shoqërimit të tij në ambientet e drejtorisë së policisë, 27-vjeçari ka mohuar të gjithë ngjarjen, duke deklaruar se nuk kishte aspak të bënte me kërcënimet. Lulzim Makishti kërkonte nga çifti egjiptian 85 mijë euro, duke i kërcënuar me jetë. Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë bërë që, agjentët e policisë të ndalonin 27-vjeçarin, ndaj të cilit rëndon akuza e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie, në bashkëpunim”. Ndaj Makishtit, tri ditë pas arrestimit, Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”. Prokuroria vuri në përgjim pastruesen e egjiptianit që nëpërmjet saj mund të nxirrte ndonjë të dhënë. Gjithashtu, grupi i hetimit arriti të identifikojë edhe numrin që kishte dërguar sms, duke nxjerrë të dhënat nga kompania telefonike.
Arrestimi
Mënyra e shkrimit të teksteve të mesazheve dhe përdorimi i emri të vajzës së egjiptianit në to kishte hedhur dyshimet e para se kërcënimet mund të vinin nga ndonjë i njohur i familjes. Tre numra të ndryshëm celularë ishin përdorur për sms-të e shkruara në gjuhën shqipe, teksti i të cilave ishte gjithmonë i njëjtë. Autorët kërkonin më mënyrë të prerë shumën dhe më pas theksonin se, nëse denoncohej rasti në polici, do t i bënin keq vajzës së çiftit Saad. Por emri i saj ka qenë i njohur për një rreth shumë të ngushtë njerëzish që hynin e dilnin në familjen egjiptiane. Personat e parë të vënë nën vëzhgim kanë qenë dy punonjësit e familjes, ndër njerëzit e paktë dhe të besuar të arabëve. Edhe gjatë njohjes me masën e sigurisë, 27-vjeçari nuk e pranoi autorësinë e krimit, por prokuroria arriti të sigurojë prova të forta për të vërtetuar fajësinë e tij.

Ky lajm është publikuar: 09/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›