E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia arrin të neutralizojë eksplozivin para shpërthimit

Eksploziv me celular mes dy pallateve në Kombinat, ndërkohë që policia arrin ta neutralizojë pa shpërthyer. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, por ende nuk dihet objektivi për të cilin ishte vendosur eksplozivi dhe autori i këtij atentati. Burimet policore bënë të ditur se eksplozivi, lloji i të cilit ende nuk është konfirmuar, është gjetur nga banorët e zonës mëngjesin e së dielës, kur ata po dilnin nga pallati. Telefonata në sallën operative ka mbërritur rreth orës 09.40 minuta, ku një qytetar ka njoftuar se në Rrugën e Qelqit, në sheshin e pallateve nr. 69 dhe nr. 70 është gjetur një pako e mbështjellë me natriban, në të cilën ishin lidhur dy fije teli me një kapsollë dhe celular. Me t‘u njoftuar, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë që kanë rrethuar zonën, bashkë me ekspertët xhenierë. Këta të fundit kanë nisur punën për analizimin e lëndës së gjetur, si edhe kanë bërë shkëputjen e pakos, e cila ishte rreth 500 gramë nga celulari dhe kapsolla. Më pas, lënda e mbështjellë me natriban është marrë për analiza të mëtejshme, me qëllim për të përcaktuar llojin e eksplozivit. Nga ana tjetër, shërbimet e policisë kanë nisur hetimet për të gjetur autorin e vendosjes së eksplozivit, si dhe pritet ekspertiza për shenjat e gishtave të mbetura mbi objektin e përgatitur për atentat. Sipas policisë, në këtë zonë ka pasur disa konflikte pronësie, por ende nuk ka konfirmuar asnjë pistë hetimore.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›