Kërkesa - Guatemala të shqyrtojë me përparësi njohjen e Kosovës
Zv/kryeministri Ilir Meta vijon vizitat në vendet e Amerikës Qendrore
Gjatë qëndrimit në Guatemalë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Zëvendëspresidenti i Republikës së Guatemalës, Dr. Rafael Espada, me të cilin diskutoi rreth mundësive të zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, mes Shqipërisë dhe rajonit të Amerikës Qendrore si dhe mbi çështjen e Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe konkretizimit të tyre përmes nënshkrimit të disa marrëveshjeve të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, sikurse dhe bashkëpunimit mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme. Meta dhe Espada ndanë të njëjtin qëndrim se bashkëpunimi në kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara është një platformë e rëndësishme që kontribuon në garantimin e paqes dhe sigurisë globale.
Nga ana e tij, Dr. Espada vlerësoi vizitën e kryediplomatit shqiptar si një tregues i vullnetit pozitiv, duke vlerësuar faktin se kjo është vizita e parë e një drejtuesi të lartë shqiptar në këtë vend. Dr. Espada vlerësoi interesin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar me statusin e vëzhguesit në Organizatën e Shteteve Amerikane (OSA) dhe garantoi për mbështetjen e vendit të tij, duke theksuar se ky është një hap pozitiv që i shërben njohjes më të mirë reciproke dhe dimensionit të ri human që kanë marrë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bashkëpunimi mes shteteve në shekullin e 21-të.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta e njohu zv/presidentin e Guatemalës, Dr. Espada me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, me rolin e saj të ri pas anëtarësimit në NATO dhe ecurinë e procesit të integrimit evropian.
Një çështje e rëndësishme që u diskutua gjatë takimit ishte dhe ajo e Kosovës.
Meta kërkoi nga Zëvendëspresidenti i Guatemalës që vendi i tij të shqyrtojë me përparësi njohjen e shtetit të Kosovës, duke pasur parasysh zhvillimet e reja pas Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Zëvendëskryeministri në selinë e parlamentit të Amerikës Qendrore në Guatemala City/Në vijim të vizitës në Guatemalë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në selinë e Parlamentit të Amerikës Qendrore ku u prit nga Presidenti i këtij institucioni, Sergio Bucaro, me të cilin bisedoi rreth bashkëpunimit të Shqipërisë me Organizatën e Shteteve Amerikane si dhe rreth kërkesës për statusin e vëzhguesit pranë kësaj Organizate. Presidenti Bucaro shprehu vlerësimin e tij dhe të vendeve anëtare për këtë kërkesë si dhe gatishmërinë për të marrë sa më shpejt vendimin e pranimit të saj. Gjatë takimit u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit në nivel parlamentar dhe u shpreh gatishmëria e intensifikimit të marrëdhënieve në këtë drejtim, përmes shkëmbimit të vizitave reciproke dhe institucionalizimit të komunikimit të ndërsjellë.
Organizata e Shteteve Amerikane (OAS), me seli në Uashington, përbëhet nga 35 vende të kontinentit Amerikan, përfshirë SHBA, Kanadanë, Meksikën, Brazilin, Argjentinën, etj. Pranë kësaj organizate aderojnë edhe 64 vende të tjera me statusin e Vëzhguesit të Përhershëm, ku përfshihen vendet e BE-së, vetë BE-ja, si dhe disa vende të rajonit tonë.
Duke nënvizuar rëndësinë globale të kësaj Organizate, Shqipëria ka kërkuar anëtarësimin pranë saj në cilësinë e Vëzhguesit të Përhershëm, i cili pritet të rrisë vizibilitetin e aksionit dhe angazhimit diplomatik të Shqipërisë, në shërbim të interesit kombëtar të vendit.