E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kompania e Namik Ajazit është me status ‘pezull’”

QKR konfirmon qëndrimin e ministres Majlinda Bregu

Qendra për Regjistrimin e Biznesit hedh poshtë akuzat e Partisë Socialiste për kompaninë “MIA International”, duke mbështetur kështu deklaratën e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, se kompania s’ka kryer asnjë aktivitet. Ministrja ishte shprehur më parë mbi çështjen e kompanisë së bashkëshortit të saj, çka konfirmohet zyrtarisht edhe nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, se është me status “pezull”, që nga tetori i vitit 2009-ë.
Në një konferencë me mediat kreu i QKR-së, Tomi Kola deklaroi se ky institucion vepron në mënyrë transparente gjë që, po përdoret në mënyrë politike nga opozita dhe Partia Socialiste. Ai i bëri thirrje Partisë Socialiste që të ndryshojë kursin e akuzave, pasi QKR është një institucion tërësisht transparent dhe se ky institucion s’mund të manipulojë sistemin elektronik mbi të cilin operon.
“Me keqardhje konstatoj se emri i institucionit tonë po përdoret në mënyrë jo korrekte politikisht dhe dokumentacioni i shfaqur në ëebsitin tonë po lexohet në mënyrë selektive për qëllime politike. QKR është institucion tërësisht transparent, i cili vepron vetëm mbi bazën e kërkesave dhe aplikimeve që depozitohen nga vetë personat dhe subjektet tregtare. QKR nuk mund të manipulojë sistemin elektronik mbi të cilin operon.
Sistemi elektronik i QKR është ndërtuar enkas i pa manipulueshëm nga ndërtuesit dhe projektuesit e USAID. Pra, sistemi elektronik nuk merr urdhra as nga unë si drejtor e as nga ministra, siç pretendon opozita. Sistemi pranon aplikime dhe i miraton ato vetëm kur dokumentacioni i kërkuar është i plotë dhe i rregullt, konform kërkesës së vetë sistemit, i cili është reflektim direkt i kuadrit ligjor të QKR. Ky dokumentacion skanohet tërësisht pikërisht për t’u vënë në dispozicion të transparencës. Jo më larg se tre javë më parë QKR është vlerësuar nga raporti i vetë USAID si një institucion, i cili ofron shërbime me cilësi dhe transparencë në përputhje me ligjin mbi të cilin ajo operon”, u shpreh Kola.
Duke sqaruar pretendimet e PS-së, lidhur me kompaninë e bashkëshortit të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, kreu i QKR-së sqaroi se ka qenë vetë bashkëshorti i ministres, që ka kërkuar statusin ‘pezull’ të kompanisë që në muajit tetor 2009.
“Lidhur me rastin konkret me çështjen Ajazi, për të cilën sot institucioni që unë drejtoj akuzohet për manipulim dhe korrupsion, ju bëj me dije se vetë i interesuari Namik Ajazi është paraqitur pranë sportelit të QKR-së që në muajin tetor 2009 për të kaluar në status pezull kompaninë në të cilin ai ishte aksioner. Në qoftë se QKR do të vepronte me urdhra ministrash dhe jo sipas rregullave dhe ligjeve të shtetit shqiptar, atëherë Namik Ajazi nuk do të figuronte as administrator dhe as aksioner i kësaj kompanie. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur e si rrjedhojë është më se e qartë që jo vetëm manipulime nuk ka pasur, por as urdhra e as porosira, siç pretendohet”, vuri në dukje Tomi Kola.
Ai i bëri thirrje opozitës të lerë mënjanë deklaratat politike dhe të shqyrtojë me seriozitet dokumentet e QKR-së. “Lutemi që dokumentet e QKR-së të mos lexohen politikisht e në mënyrë selektive. QKR është e gatshme të vërë në dispozicion sa herë që të kërkohet, nga kushdo individ, shoqëri apo forcë politike, çdo dokument të nevojshëm, pasi vetëm nëpërmjet shqyrtimit korrekt të tyre arrihet në konkluzione të sakta. QKR do të vazhdojë të jetë gjithmonë transparente dhe në shërbim korrekt, me të gjitha subjektet tregtare”, deklaroi ndër të tjera, drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tomi Kola.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›