E Shtunë, 31 Tetor 2026

MBAMENDJA JONË SELEKTIVE



Të nderuar lexonjës!

Ditë më parë, kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, zyrtarisht i shpalli zgjedhjet vendore dhe presidenciale të cilat duhet të mbahen më 22 mars të vitit 2009. Këto zgjedhje vendore dhe presidenciale do të duhet të jenë një testim dhe provim ekstern për politikën interne të Shkupit. Dhe nëse këto zgjedhje nuk do të japin rezultate të pritshme pozitive, atëherë ato nga faktori politik ndërkombëtar, edhe kësaj radhe do të konceptohen substancionalisht si të pakuptimshme, të pavlefshme dhe në instancë të fundit, do të perceptohen si të parregullta. Që zgjedhjet e ardhshme, në veçanti ato presidenciale, mos të jenë një kopje e zbehtë e atyre paraprake, mendjet politike shqiptare dhe trupi votues shqiptar, pavarësisht se a do të jenë humbës apo “fitues”, që tani duhet të marrin qëndrim të matur, pse jo edhe të prerë se vota deliberative e jona, a do të filozofohet si suplementare gjegjësisht, si një votë e adoptuar apo si votë që do ta plotësojë konton e kandidatit joshqiptar, një votë që tani dihet se për mburojë do ta ketë presionin e hatërisë së koalicionit, respektivisht lidhjen e përkohshme ndërmjet partive politike shqiptare me ato joshqiptare, koalicione këto që derisa do të jenë në pozitë, në vazhdimësi do t’i makiavelizojnë organizmat shtetërorë apo, ndoshta edhe kësaj radhe, kjo votë suplementare do të ngelë peng i interesave monetare (!?) apo diçka tjetër.

Për t’i hetuar gjymtimet e zgjedhjeve paraprake presidenciale (për ato vendore fare nuk do llafos), fillimisht duhet t’i kthehemi mbamendjes sonë dhe cila do të jetë ajo, do të varet nga vetë ne. Nëse do të përcaktohemi për kujtesën selektive, atëherë përgjegjësia jonë, po edhe hidhërimi ynë do të duhet të jetë selektiv, nëse do të përcaktohemi për mbamendjen kolektive, atëherë do të pajtohemi për faktin se edhe përgjegjësia jonë do të jetë kolektive kundrejt defekteve që kanë dalë dhe që do të dalin nga këto zgjedhje. Se cilës kujtesë do t’i referohemi do të varet kryekëput nga “disponimi” ynë politik. Se ne shqiptarët, edhe kësaj radhe nuk do të nxjerrim një kandidat të vetëm për President potencial, këtë e dinë edhe fëmijët të cilët do të parapëlqejnë që të dëgjojnë përrallën që i dedikohet dhelprës dhe rrushit. Dhe që nuk do të kemi kandidatin që do të kalojë në raundin e fundit, këtë e dinë ata që do ta propozojnë. Dhe nëse e dinë se nuk do të kalojë, atëherë pse na duhet i gjithë ky ankth orientimi apo ky hamendësim se cilit kandidat për President shteti i duhet dhënë votën tonë edhe ashtu të paekuilibruar dhe të kriminalizuar. Nëse kjo votë jona u jepet atyre që nuk e meritojnë, gjithsesi se do ta skllavërojmë, diabolizojmë dhe binomizojmë, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, si përherë kjo votë do të jetë “viktimë shembullore” e mbrapshtisë sonë politike. A mos vallë nuk kemi derte të tjera qe edhe kësaj radhe të merremi me çështje të dorës së dytë. Le të më thotë njeri se a mban në mendje një shembull nga të gjitha zgjedhjet e kaluara, qofshin ato vendore apo presidenciale, që pala tjetër, së paku një herë, ta ketë dhënë një votë për kandidatin shqiptar, qoftë edhe votë false, apo votë e seleksionuar. Dhe nëse (nuk) është kështu, pse ne duhet ta familjarizojmë votën tonë me votën e fituesit të ardhshëm! Pse këto vota tonat të shndërrohen në mall për “këmbimoret e palicencuara politike” ku gjithsecili pronar i votës së tij do ta këmbejë atë për premtime të rreme, thjesht: premtime që si çdo herë kanë dalë dhe do të dalin nga rrëfenjëzat e kandidatit intolerant. Edhe në këto zgjedhje presidenciale, askush nuk mund të “parashohë” se, pozita dhe opozita ose “shumica mosbesuese” shqiptare ndoshta” nuk do t’ia japë votën” për shembull, pretendentit për President, ish-ministrit për Punë të Brendshme Lube Boshkovskit, i cili që tani ka filluar të pandehë se e ka hallin për t’ua marrë votat “vëllezërve shqiptarë”, në veçanti katundarëve të Lubetenit, Porojit, Likovës, Tanushës dhe pse jo edhe të miat! Sidoqoftë, nëse “brat” Lubeja do të bëhet President, nuk do të “hezitojë të garantojë” se vërtet do të reflektojë paqen, barazinë e dajakut, barazinë e torturës, barazinë sociale, atë politike, ekonomike, arsimore, barazinë e përfaqësimit adekuat të shqiptarit në kabinetin e tij dhe... kush e di çfarë hamam barazie do të garantojë... kuptohet midis komuniteteve që jetojnë në nënqiellin e shtetit të Shkupit. Nëse unë, një opinionbërës i vockël, (nuk) e kam për gabim këtë vështrim gazetaresk atëherë, kushdo qoftë, le të më ofrojë së paku një provë se votat që do t’i dedikohen pretendentit joshqiptar nuk do të jenë abuzive dhe klandestine? Të supozojmë se ai nuk do t’i marrë votat tona, në rend do vijë kandidati tjetër potencial, të themi Serxhan Kerim. Edhe ky, s’di se çka do u ofrojë shqiptarëve për votat, apo... edhe kandidati i tretë i pavarur. Si kandidati i parë, i dyti, i treti apo edhe i katërti, pasi t’i zaptojë votat shqiptare dhe pasi të akodomohet në karrigen e sundimtarit, sërish si gjithmonë, fillimisht duke e shpërdoruar përgjegjësinë shtetërore, do të akordojë zërin e shovinizmit, që mandej edhe përfundimisht t’i rreket anashkalimit, vulgarizimit, deemancipimit, dehumanizimit dhe defaktorizimit të gjithë asaj që është shqiptare. Kështu një i tillë politikan, nuk mund të jetë President edhe i shqiptarëve, qofte (jo) konsensual, apo i (pa) sajdisur! Megjithatë, një i tillë pretendent gjithsesi se me votat e shqiptarëve do të bëhet President i ardhshëm i shtetit. Këtij konstatimi i shkon mirë proverba (e vërteta) irlandeze: “Gjelat e mullisit janë të majmur, por Zoti e di se me grurin e kujt janë majmur”. Dhe kryetarët e deritashëm, si: Kiro Gligorov, Boris Trajkovski e Branko Crvenkovski u bënë të parët e shtetit me grurin-votën e shqiptarëve, pavarësisht a ishin vota të PPD-së, PDSH-së apo BDI-së. Për këtë çdonjëri prej tyre nuk “harroi t’i shpërblente” shqiptarët në mënyrën më çnjerëzore dhe të egër. Nuk harruan të kthejnë borxhin me të vrarë të Bit Pazarit të Shkupit, Ladorishtës, Gostivarit, Porojit, Lubetenit... pastaj me gjykime dhe me vrasje të kurdisura. Dhe nëse të gjithë ne nuk ndërrojmë mendje ndaj kësaj katrahure, atëherë na qoftë për “hajër” gabimi, një gabim që nesër nuk do të mundësojë të pendohesh dhe të kërkosh hapësirë ku do ta vajtosh hallin e votës. Një reagim yni, pavarësisht se do të jetë i drejtë, i padrejtë apo i vonuar, pak do të vlejë. Pse gjithë këto dilema! Dhe për ta mos e përdorë edhe kësaj radhe “votën presidenciale” si mjet për t’ia nxjerrë sytë njëri-tjetrit dhe për ta mos e vazhduar konfliktin ndërshqiptar, këtë votë duhet ta mbajmë në distancë, me të vetmin qëllim që ajo votë mos ta humbë logjikën e të qenit të saj. Tek e fundit, nëse kandidati i preferuar i partisë në pushtet merr shumicën e votave, atëherë definitivisht do të zotërojë kompetenca edhe ndaj institucionit President i Republikës, me çka edhe do ta rrumbullakësojë mbretërinë e tij politike. Ky monopolizim i Presidencës do ta anashkalojë teorinë e Monteskjesë ndaj ndarjes se domosdoshme të institucioneve kushtetuese. Volteri dikur kishte thënë: “Unë jam kundër asaj që ti thua, po do të bëj gjithçka mundem që ti gjithnjë të kesh mundësinë ta thuash”. Dhe Presidenti i ardhshëm, si përherë do të bëjë gjithçka që ta pamundësojë atë që ti dëshiron ta thuash... Për këtë dhe shkaqe të tjera... qofsha i gabuar në opinionet e mia.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›