E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miku i Berishës dhe Bumçi, dëshmitarë te Gërdeci

"Rafi", përfaqësues i SAC, demonstroi teknologjinë e demontimit përpara ushtarakëve shqiptarë në maj 2007


Ish- ministri i Drejtësisë, pritet të dëshmojë për një faks të tij, në kokë të të cilit thuhej se duhej njoftuar djali i kryeministrit


TIRANË- Miku i kryeministrit, Rrahman Selmanllari, si dhe ish- ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, bëjnë pjesë në listën "VIP", të dëshmitarëve të organit të akuzës, në procesin gjyqësor të tragjedisë së Gërdecit, që pritet të nisë në muajin maj. Biznesmeni Rrahman Selmanllari i njohur ndryshe si miku i ngushtë i djalit të kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzenit, si dhe Aldo Bumçi, renditen në listën e rreth 400 dëshmitarëve të akuzës që do të thirren nga akuza, për të provuar fajësinë e 29 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë grupit hetimor të Prokurorisë së Përgjithshme, që hetoi për 12 muaj dhe dorëzoi dosjen penale pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me 29 të pandehurit e akuzuar si përgjegjës të shpërthimit të punishtes së demontimit të municioneve në ish-repartin e tankeve në Gërdec. Ky shpërthim, sipas akuzës, shkaktoi 26 viktima e gjymtimin e mbi 300 të tjerëve dhe shkaktoi dëme materiale dhe jo materiale ndaj banorëve në fshat, dëm që arrin shifrën e rreth 31 milionë eurove. Sipas burimeve nga prokuroria, mësohet se Selmanllari i njohur ndryshe me nofkën "Rafi", do të dëshmojë para gjykatës pozicionin e tij në kompaninë amerikane SAC (Southern Ammunitions Company). Gjithashtu, sipas akuzës ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, është në listën e dëshmitarëve, për të sqaruar një faks, të dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes, në kokën e të cilit shkruhet me shkrim dore dhe me laps, se me këtë shkresë të njihet djali i kryeministrit Sali Berisha, shtetasi Shkëlzen Berisha. Për këtë të fundit, nuk përjashtohet mundësia e thirrja në cilësinë e dëshmitarit para gjykatës nga prokurorët e çështjes, për të sqaruar situatën. Sa i përket Selmanllarit, me autorizim të presidentit të kësaj kompanie Patrick. C. Henry III, Selmanllari ka përfaqësuar këtë kompani në demonstrimin e parë të demontimit të municioneve të kalibrave 7.62 dhe 14.5 mm, në Gërdec, kur kishin mbërritur edhe makineritë e demontimit. Ky demonstrim, sipas akuzës, është kryer për t'i bindur ushtarakët e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes me teknologjinë e lartë të makinerive për demontimin e municioneve. "Pas ofertës së ardhur nga kompania amerikane SAC në zyrat e MEICO-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për demontimin e municioneve të kalibrit të lehtë dhe para se të nënshkruhet kontrata mes tyre, kompania SAC ka autorizuar shtetasin Rrahman Selmanllari të përfaqësonte atë në Shqipëri. Në maj të 2007, dëshmitari Selmanllari bashkë me disa ekspertë të kompanisë SAC të ardhur nga SHBA-ja dhe në prani të gjeneral Zija Bajes kanë demonstruar demontimin e një sasie të konsiderueshme fishekësh, në tipin e provës. Kjo provë e monitoruar nga ish-komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneral Zija Baja, është kryer në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi",-thuhet nga akuza, duke shtuar se për këtë fakt ndaj gjeneral Bajës është ngritur akuza e "shpërdorimit të detyrës" në bazë të Kodit Penal Ushtarak. "I pandehuri Zija Baja, me detyrën e ish- komandantit të Komandës Mbështetëse ka kryer me dashje veprime dhe mos veprime në kundërshtim me ligjin dhe në mospërmbushjen e rregullt të detyrës, me synim sigurimin e përfitimeve të padrejta për shoqërinë "Albademil". Kjo shkelje është kryer, pasi ka urdhëruar strukturat ushtarake të nxjerrin nga depot e Ushtrisë municione të kalibrave 7.62 mm; 8mm dhe 14.5 mm dhe me urdhër verbal për kryerjen e transportit të tyre drejt Gërdecit pa një kontratë apo akt marrëveshje me shoqërinë e demontimit për mbulimin e shpenzimeve të transportit dhe pa verifikuar dhe garantuar sigurinë e shmangien e ngjarjeve të pazakonta. Me kryerjen e këtyre veprimeve dhe mosveprimeve, i pandehuri Zija Baja, ka sjellë pasoja në dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit në vlerë prej 36,43 milionë lekë,- thuhet në kërkesën për gjykim të dorëzuar tashmë në Gjykatën e Lartë. Sipas akuzës, kjo është edhe arsyeja që dëshmitari Selmanllari do të sqarojë para gjykatës, pasi me urdhrin e ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, theksohet se për kryerjen e provës të dorëzohen në Gërdec një sasi prej dy arkash me fishekë dhe jo dy kamionë siç është vepruar në rastin konkret.


Reagimi i Selmanllarit për takimin me Diverolin
TIRANË- Emri i Rrahman Selmanllarit doli në skenë pas arrestimit në Itali të nipit të tij, të cilit iu gjend drogë në makinën e ambasadës shqiptare. I njohur në kryeqytet për miqësinë e tij me djalin e kryeministrit, Selmanllari i njohur si "Rafi" u lakua për pjesëmarrjen në takimin e fshehtë për armët. Fill pas këtij lajmi, Geri Kokalari tha se "Rafi" ka qenë prezent në pazaret mes Efraim Diverolit, president i kompanisë AEY, drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinarit dhe Mihal Delijorgjit. Një fakt i tillë është mohuar nga Rrahman Selmanllari, xhaxhai i të arrestuarit 22-vjeçar në Milano. Rrahman Selmanllari ka folur edhe për akuzat e ngritura se ai është i përfshirë në trafik fishekësh


KONTRATAT
Gërdeci, shteti do fitonte 2.2 mln USD
Për demontimin e predhave në Gërdec janë gjetur dy kontrata mes MEICO-s dhe kompanisë amerikane SAC, me vlerë 2.2 milionë dollarë amerikanë. Kontratat janë firmosur nga drejtori i MEICO, Ylli Pinari, dhe personi i deleguar i Southern Ammunitions Company, Patrick. C. Henry III. Kontrata e parë është lidhur më gjashtë qershor të vitit të kaluar dhe ka si qëllim shitjen e municioneve që do të kalojnë përmes procesit të demilitarizimit. Kontrata është për shitjen e 50 milionë e 100 mijë fishekëve nga kalibri 12.7 mm deri tek ai 54 mm dhe vlera totale e saj është 1.611 milionë dollarë amerikanë. Ndërkohë, kontrata e dytë është lidhur më 28 dhjetor 2007. Ajo ka një vlerë prej 582 mijë dollarësh amerikanë dhe parashikon demontimin e predhave me kalibër nga 20 deri 152 mm.


Kompania e Patrick Henry u përdor për të mbuluar Mihal Delijorgjin

Henry, 33 % të aksioneve në këmbim të emrit SAC

TIRANË- Më 27 dhjetor të vitit 2006, Patrick Henry i bën me dije nëpërmjet një letre ministrit të asaj kohe, Fatmir Mediu, interesin e tij për të çmontuar mbi 140 milionë fishekë me përbërje tunxhi, municion që ushtria shqiptare e dispononte. Që në këtë datë, përfaqësuesi i SAC e vë në dijeni ish-ministrin Mediu se ka krijuar në Shqipëri kompaninë "Albademil", me anën e së cilës do të hyjë në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes.Henry shkruante se është i gatshëm të vërë në dispozicion 7 deri në 19 makineri për çmontimin industrial si dhe 3 deri në 5 teknikë amerikanë për këtë projekt. Për aq sa u takon autoriteteve shqiptare, prej këtij momenti SAC pushon së ekzistuari. Kompania "Albademil", asokohe e ndarë në 33 % për Patrick Henry dhe 67 % për Mihal Delijorgjin merr përsipër të paguajë Ministrinë e Mbrojtjes për fishekët, të ngrejë fabrikën e demontimit dhe të shkarkojë municionin. I vetmi merak i firmëtarëve ka qenë shmangia e "Albademil"-it të Mihal Delijorgjit nga letrat zyrtare dhe pakti duket se është arritur me lehtësi. Patrick Henry ka pranuar të përdorë kompaninë e tij amerikane në këmbim të 33% të aksioneve për të vënë në jetë projektin e Gërdecit. Ministrisë së Mbrojtjes i lë "për detyrë" të përballojë transportin e fishekëve, furnizimin me 24 orë energji në ditë, në pikun e krizës energjetike në vend si dhe sigurimin e lejeve për demontim e eksport materialesh ushtarake. Në të njëjtën letër, përfaqësuesi i SAC i rekomandon ministrit Mediu që baza e Bërzhitës do të ishte vendi i duhur për këtë proces, por historia dihet tashmë. "Albademil" pranoi Gërdecin në këmbim të Bërzhitës, Gërdecin e 26 të vdekurve, 300 të plagosurve dhe mijëra shtëpive të rrënuara.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›