Propozimi; Alibeaj i kërkon KLD-së shkarkimin e 3 gjyqtarëve në Elbasan
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i propozon KLD-së shkarkimin nga detyra të tre gjyqtarëve të Gjykatës së Elbasanit. Kërkesa i është nisur dje këshillit, ndërkohë që lista e personave të propozuara për masa disiplinore shkon në 13 gjyqtarë, 10 të propozuar më parë dhe 3 dje. Burime nga KLD konfirmuan mbërritjen e procedimeve disiplinore, duke shtuar se bwhet fjalw pwr gjyqtarwt Bujar Musta, Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu. Gjithashtu, sipas burimeve, ministri ka dërguar pwr procedim disiplinor edhe gjyqtaren Manjola Bejleri, e cila u gjet me shkelje nga Inspektoriati i KLD-sw dhe prej nënkryetarit Spahiu u kërkua procedim disiplinor. Ndërkohë që institucioni i lartë i drejtësisë bëri publik faktin se gjatë inspektimeve në disa gjykata të vendit, ka shkarkuar nga detyra 4 kancelarë. Ministria e Drejtësisë publikoi dje statistikat e inspektimeve të bëra në gjyqësor dhe procedimet disiplinore gjatë periudhës nëntor 2007-prill 2009, të cilat i janë dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë me masat përkatëse. Dje, ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, i ka dërguar KLD-së kërkesën për procedimin disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, duke kërkuar shkarkimin e tyre nga detyra. Këta tre gjyqtarë i bashkëngjiten listës së 10 gjyqtarëve, për të cilët ministri ka kërkuar procedim disiplinor gjatë periudhës 2008-2009. Ndërkohë që referuar këtyre statistikave, gjatë vitit 2005-2009, me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Drejtoria e Inspektimit të Gjyqësorit ka kryer gjithsej 33 procese inspektimi, në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe ato të Apelit. Nga këto, 28 inspektime janë kryer në periudhën nëntor 2007-prill 2009, nga të cilat 8 kanë pasur si objekt inspektimin e veprimtarisë së administratës gjyqësore, 20 inspektime në gjyqësor, tematike ose të përgjithshme, duke respektuar kalendarin e veprimtarisë inspektuese të miratuar në fillim të çdo viti.
Propozimet
Në përfundim të kësaj veprimtarie, ministri i Drejtësisë, për inspektimet e kryera në periudhën e sipërpërmendur (2007-2009) ka dërguar kërkesat për procedimin disiplinor për 13 gjyqtarë, nga të cilët: 5 të Gjykatës së Apelit Vlorë, 3 të Gjykatës Ushtarake të Apelit; një të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat; dhe së fundmi (dërguar gjatë këtij muaji) për tre gjyqtarë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe një të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Për 12 (dymbëdhjetë) gjyqtarë, në vlerësim të gjetjeve të rezultuara nga inspektimi apo materialet e përcjella nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është propozuar masa e shkarkimit nga detyra dhe për një prej tyre, masa e transferimit në një gjykatë tjetër, jashtë rrethit gjyqësor. Ndërkohë janë në proces përpunimi nga Drejtoria e Inspektimit Gjyqësor materialet që kanë rezultuar nga kontrollet e ushtruara në disa gjykata të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Inspektimet e bëra gjatë vitin 2008-2009 me objekt kontrollin e administratës gjyqësore kanë përfunduar me shkarkimin e kancelarëve në gjykatat e rretheve gjyqësore Korçë, Kurbin, Lezhë, Lushnjë. Propozimet e ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtarëve janë bërë në zbatim të procedurave dhe detyrimeve të kuadrit të reformuar ligjor, që është tashmë në fuqi, siç është ligji “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, miratuar në datën 18.02.2008 dhe në përmbushje të objektivit të qeverisë për t’i shpallur luftë korrupsionit dhe garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve prej sistemit gjyqësor.
Dërguar KLD-së për procedim disiplinor
2008
Vasil Hanxhari, Gjykata e Apelit Vlorë
Meme Rexho, Gjykata e Apelit Vlorë
Sokol Ngresi, Gjykata e Apelit Vlorë
Gjinovefa Gaba, Gjykata e Apelit Vlorë
Alaudin Malaj, Gjykata e Apelit Vlorë
Ylli Minka, Gjykata Ushtarake e Apelit
Naum Pejo, Gjykata Ushtarake e Apelit
Shaqir Gradica, Gjykata Ushtarake e Apelit
Murat Lleshi, Gjykata e Rrethit Gjyqesor Mat
2009
Bujar Musta, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan
Pajtime Fetahu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan
Zihni Shahu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan
Manjola Bejleri, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tirane