E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS marrëveshje me Institutin amerikan për zgjedhjet në parti

23/02/2005  Parimi "një anëtar, një votë" sjell Institutin Demokrat në Shqipëri

Partia Socialiste do të nënshkruajë një memorandum bashkëpunimi me Institutin Demokratik për Çështjet Ndërkombëtare për zbatimin e sistemit "një anëtar, një votë" në parti. Trajnimi nëpërmjet seminareve, nxitja për zbatimin dhe monitorimi i zbatimit në praktikë të parimit të zgjedhjes së drejtpërdrejtë nga elektrati, do të ndiqet me kujdes nga institucioni amerikan, i cili drejtohet nga Jennyfer L. Butz. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, do të nënshkruajë këtë memorandum në emër të PS-së. Memorandumi synon në thelb të tij saktësimin e regjistrit kompjuterik të anëtarësisë së Partisë Socialiste. Ndërkohë, dje ka qenë Partia Demokristane, e cila ka nënshkruar me institutin amerikan të njëjtën marrëveshje.

PS

Nënshkrimi i memorandumit mes përfaqësuesit të Partisë Socialiste dhe drejtoreshës së Institutit Demokratik për Çështjet Ndërkombëtare, shënon një nga hapat që forca më e madhe politike në vend do të bëjë në kuadër të zbatimit të parimit "një anëtar, një votë". Kjo pas prezantimit të strukturës së Komiteteve Zonale Elektorale, të cilat do të krijohen në bazë të këtij parimi dhe do të ndjekin këtë formulë për të përzgjedhur emrat për kandidatët për deputetë të kësaj partie. Por, nga ana tjetër, ky parim nuk është zyrtarizuar ende në statutin e PS-së. Kjo pritet të realizohet në muajin prill në mbledhjen e Kongresit Ekektoral, ku socialistët do të miratojnë ndryshimet në statut. Aktualisht zbatimi i parimit, "një anëtar, një votë" për PS-në ka ngelur peng i ndarjes së zonave elektorale të vendit. Pasi, pa realizimin e ndarjes zonale, nuk mund të ketë përzgjedhje të kandidaturave.

PD

Nga ana tjetër, Partia Demokratike zbatimin e parimit "një anëtar, një votë", ka vendosur ta zbatojnë pas implementimit të formulës në statut. Pas propozimit të bërë nga kreu i kësaj partie, do t'i takojë Kuvendit që të bëhen ndryshimet në statut për të aprovuar ose jo këtë parim. Gjithsesi, modeli i përzgjedhjes së drejtuesve të partive në bazë të parimit "një anëtar, një votë" është një praktikë e njohur në partitë e djathta evropiane, por që kërkon një infrastrukturë moderne për implementim në vendin tonë, sidomos për partitë e mëdha. Në formulë e tillë kërkon që partitë të kenë të dhëna të sakta të elektoratit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›