E Diel, 1 Nëntor 2026

Çipa dhe Tavo: Dule po shkatërron "Omonian"

08/02/2005  Debati për zonat zgjedhore në jug të vendit duket se ka përçarë minoritetin etnik grek në këto zona. Përfaqësues të Partisë Socialiste në zonën e Gjirokastrës kanë kundërshtuar variantin e kreut të PDBNJ-së, Vangjel Dule, për ndarjen elektorale paraqitur në zyrat e OSBE-së. Deputeti Stefan Çipa ka theksuar në një konferencë për shtypin se "propozimi i bërë nga Dule për zonat zgjedhore ndikon në tkurrjen e përfaqësimit politik të minoritetit etnik grek në Shqipëri". Sipas Çipës, "kriteret e Kodit Zgjedhor për ndarjen elektorale janë antidemokratike, duke zhvlerësuar dinamikën elektorale dhe të drejtën e votës së emigrantëve jashtë vendit". Duke sulmuar kreun e PBDNJ-së për përdorim të pushtetit politik për presione ndaj organizatës minoritare "Omonia", Çipa tha se "`Omonia` mbron interesat e kominitetit minoritar dhe jo të një individi apo force politike, duke e futur në një kaos qëndrimin politik të kësaj organizate". Deputeti Vangjel Tavo ka theksuar se kërkesa për të mos ndryshuar zonat zgjedhore në jug të vendit ka shkuar dhe në përfaqësinë e OSBE-së për të penguar kështu një "masakër zgjedhore në rajonet ku banon minoriteti etnik grek". Sipas Tavos, në hartën e tanishme elektorale në zonat e jugut ekzistojnë hapësira për krijimin e kushteve optimale në kompaktësinë e përfaqësimit politik të komunitetit minoritar. Gjithashtu deputetët socialistë i kanë bërë thirrje elektoratit në këto zona që të marrë pjesë në zgjedhje për të vendosur se kush do të jenë përfaqësuesit e tij më të mirë në pushtetin e ardhshëm legjislativ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›