“Kërkesa në Kushtetuese, hap i gabuar”
Ish kryetari i KQZ-së Çlirim Gjata, shpjegon nenin 87 të Kushtetutës
Juristi dhe ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata u shpreh dje se kërkesa e pretenduar e Partisë Socialiste, drejtuar Kushtetueses për interpretimin e nenit 87 të Kushtetutës, lidhur me zgjedhjen e Presidentit, do ishte një veprim i gabuar si dhe s’do çonte në plotësimin e këtij “vakumi” të supozuar.
“Gjykata Kushtetuese nuk mundet të marrë vendime përpara parlamentit dhe t’i japë urdhra këtij institucioni. Ligji për dispozitat kryesore Kushtetuese, Kushtetuta që kemi sot thotë se kjo gjykatë bën interpretimin e ligjit përfundimtar. Pra, Gjykatra Kushtetuese nuk bën interpretim, bën vetëm interpretim përfundimtar. Parlamenti e zbaton Kushtetutën, ashtu si mendon ai se e ka zbatuar. Gjykata Kushtetuese nuk mund ta bëjë tani interpretimin, pa e bërë më parë parlamenti interpretimin. Jam kundër interpretimit abstrakt të çështjeve nga ana e Gjykatës Kushtetuese, pra nisjen e një interpretimi pa pasur një diskutim, një debat. Gjykata nuk mund të bëjë një interpretim pa pasur një konflikt mes palëve për një çështje të caktuar, atëherë ajo bën një interpretim dhe zgjidhje kësaj çështjeje”, u shpreh Gjata.
Pak ditë më parë Partia Socialiste nisi debatin për zgjedhjen e Presidentit, duke pretenduar interpretimin e nenit 87 të Kushtetutës, lidhur me kuorumin e zgjedhjes së kreut të shtetit në 3 raundet e para me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit. Por, debati politik lidhur me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, shikohet nga mazhoranca si i panevojshëm, pasi ndryshimet kushtetuese u bënë me pëlqimin e të dyja kampeve politike dhe është vetë Kushtetuta, dokumenti themeltar, që parashikon qartë rrugën e zgjedhjes së kreut të shtetit.