E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa për lirim, rrëzohet për herë të dytë Aldo Bare

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka refuzuar për të dytën herë kërkesën e bërë nga Alfred Shkurti, ose siç njihet ndryshe Aldo Bare, për ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin e tij nga burgu. Sipas pretendimeve të palës mbrojtëse, afatet e paraburgimit kanë skaduar dhe për këtë duhet të jepet një masë sigurie më e butë, duke e liruar në kushtet e shtëpisë. Sipas avokatit mbrojtës të Bares, kërkesat e bëra më parë ishin që të shpallej e pavlefshme masa e sigurisë “arrest me burg”, e marrë në mungesë në datën 26 mars 2006, si dhe verifikimi i kushteve të zbatimit të kësaj mase pas ekstradimit nga Turqia. Pala mbrojtëse argumentoi se klientit të tij i kanë përfunduar afatet e paraburgimit në kohën që ka qenë i arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare në Turqi. Sipas vendimit të marrë nga trupi gjykues, vendimi për masën e arrestit qëndron në bazë të akuzave që rëndojnë mbi të pandehurin, ndërkohë që afatet e paraburgimit fillojnë nga momenti që Bare është ekstraduar në Shqipëri. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda vjen pas atij të marrë tri javë më parë nga koleget e tyre të Shkallës së Parë, të cilët vendosën të rrëzojnë kërkesën e Aldo Bares për ndryshim mase ose shuarje të saj. Në kërkesën e tij për lirimin e Bares, avokati Meçe kërkoi rrëzimin e vendimit të Krimeve të Rënda, me arsyetimin se klientit të tij i kanë përfunduar afatet në kohën që mbahej në qelitë e Turqisë, pra që nga vitit 2006 deri në 2009, kohë kur u ekstradua në Shqipëri. Kjo seancë u zhvillua pas asaj të mëngjesit në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda, ku trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari u detyrua ta shtynte gjyqin për shkak të shqyrtimit të ankimimit të Bares në Apel për rrëzimin e kërkesës së tij për ndryshim mase. Në përfundim të seancës, avokati i të etiketuari kapobanda e Lushnjes deklaroi se do bëjë rekurs për vendimin në Gjykatën e Lartë. I pandehuri Bare akuzohet për kryerjen e mbi 20 veprave penale, vrasje, krijim të organizatës kriminale, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh dhe kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim nga organizata kriminale.

Pala mbrojtëse argumentoi se klientit të tij i kanë përfunduar afatet e paraburgimit në kohën që ka qenë i arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare në Turqi

Gjyqi

Gashi e avokati braktisin gjyqin, gjykata cakton avokat kryesisht

Bujar Gashi dhe avokati i tij Ilia Ilia kanë braktisur dje sallën e gjyqit, në mënyrë rebelimi ndaj vendimeve të gjykatës, duke detyruar këtë të fundit të caktojë një avokat kryesisht dhe të shtyjë gjyqin për në një datë tjetër. Gjithashtu, trupi gjykues ka revokuar një vendim të mëparshëm të tij për zhvillimin e gjyqit me dyer të mbyllura, duke vendosur që seancat në vazhdim të vazhdojnë normalisht, me praninë e familjarëve dhe mediave. Ditën e djeshme do të dëshmonin dy persona, të cilët mendohet se kanë dijeni mbi episodin kriminal për të cilin akuzohet Bujar Gashi, por që nuk kanë mundur të thonë versionin e tyre, pasi i pandehuri dhe avokati braktisën sallën e gjyqit në mënyrë demonstrative.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›