E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa që duhet të dorëzojë i dënuari për lirim me kusht

Kriteret që duhen plotësuar për t’u marrë në konsideratë nga Gjykata. Në Gjykatën e Tiranës deri tani janë regjistruar rreth 500 kërkesa të tilla

Laureta Rryçi

Tiranë - Të dënuarve që u ka mbetur për të vuajtur edhe një e treta e dënimit mund t’i drejtohen gjykatës për të fituar lirinë me kusht. Ndryshimet e fundit në ligj për trajtimin e të dënuarve kanë vendosur dhe kritere të tjera për të përfituar nga ky nen i Kodit të Procedurës Penale. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm kërkesën dhe kriteret që duhet të dorëzojnë të burgosurit nëpër gjykatat më të afërta që ndodhen pranë burgut ku vuajnë dënimin. Në Gjykatën e kryeqytetit është regjistruar dhe numri më i madh i këtyre kërkesave, kjo për shkak edhe të numrit të dënuarve. Nga janari deri më 19 qershor janë regjistruar në kryesekretarinë e kësaj gjykate rreth 500 kërkesa të tilla. Mes tyre nuk kanë munguar dhe personazhe të njohur, si Sokol Koçiu.
Procedura
Të dënuarit që nuk kanë dhe shumë vite burg për të vuajtur dhe ata që gjatë shlyerjes së dënimit kanë pasur një sjellje të mirë, mund të përfitojnë lirim me kusht. Natyrisht, para se të depozitojnë kërkesën në gjykatë duhet të plotësojnë dosjen e tyre edhe me disa të dhëna të tjera që ky nen i parashikon. Kërkesa bëhet në gjykatën më të afërt me vendin ku ndodhet i dënuari. Pasi ka mbërritur në gjykatë, kërkesa kalon në procedurat e zakonshme duke u përfshirë fillimisht në short. Pasi përcaktohet gjyqtari që do të shqyrtojë çështjen nis dhe njohja e dokumenteve për të caktuar një seancë të parë gjyqësore. Për të ndërmarrë këtë nismë zakonisht është e nevojshme prania e një avokati. Mirëpo nëse ndiqen me rigorozitet rregullat e mëposhtme mund të ndiqet procesi edhe nga vetë i dënuari. Gjithçka konsiston në ndërtimin saktë të padisë, e cila vë më pas në lëvizje procesin zinxhir në gjykatë.
Proceset
Zakonisht të tilla procese nuk kërkojnë kohë të gjatë për shqyrtimin e tyre. Nëse i dënuari është shoqëruar nga toga e shoqërimit rregullisht nëpër seanca, procesi mund të mbarojë edhe brenda dy muajsh ose më me pak ditë. Nga janari e deri në këto ditë në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar qindra padi të tilla, çka tregon interesin e madh që kanë të dënuarit ndaj këtij neni. Mes padive vihet re se vetëm një pjesë prej tyre kanë mundur të fitojnë lirinë, edhe pse me kusht. Pjesa tjetër, për arsye të ndryshme, që gjyqtari i çështjes i ka marrë në konsideratë, ose u është pushuar kërkesa, ose u është rrëzuar. Ka midis çështjeve që edhe janë shpallur inkompetenca. Të gjithë ata që kanë marrë besimin e gjykatës, pas fitimit të lirisë janë sërish në provë para drejtësisë. Në varësi të vendimit që ka dhënë gjykata ata nuk duhet të kryejnë vepra penale për aq vite sa i është vendosur kushti.

Kërkesë

Kërkuesi:

Objekti i kërkesës: Kërkohet lirim para kohe me kusht nga vuajtja e dënimit.

Baza ligjore: Nenet 477 dhe 64 të Kodit të Procedurës Penale.

Drejtuar: Gjykatës së Rrethit Gjyqësor

Me vendimin nr..., datë..., të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Jam dënuar:

Përshkruhen dhe argumentohen kushtet e parashikuara në Nenin 64 të Kodit Penal:
të ketë vuajtur jo më pak se gjysmën e dënimit të dhënë për kundërvajtje penale;
jo më pak se dy të tretat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi gjer në pesë vjet burgim;
jo më pak se tre të katërtat e dënimit të dhënë për krime me masë dënimi nga pesë gjer në njëzet e pesë vjet burgim;
në masën e dënimit të vuajtur nuk llogaritet koha e përftuar me amnisti ose falje;
nuk lejohet lirimi para kohe me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me dashje.

Mund të bëhet kërkesa nga i dënuari me burgim të përjetshëm kur ai ka kryer jo më pak se 25 vjet burgim.
Kur sjellja dhe puna e të dënuarit tregon se me dënimin e vuajtur i është arritur qëllimit për edukimin e tij.
Nisur nga këto, i lutem gjykatës që të caktojë një ditë për gjykimin e kësaj çështjeje dhe nëse krijon bindjen se plotësoj kushtet e parashikuara në Nenin 477 të K. Pr. Penale dhe Nenin 64 të Kodit Penal të vendosë:

Lirim para kohe me kusht nga vuajtja e mëtejshme e dënimit.
Kërkuesi
Kërkesës i bashkëngjiten:
-vendimi i Gjykatës së Rrethit;
-vërtetimi i shlyerjes së dënimit;
-vërtetimi i sjelljes nga institucioni;
-dëshmia e penalitetit;
-certifikata e lindjes.

Ekzekutimi i vendimeve
Kreu 2: Shqyrtimi nga gjykata i çështjeve që lidhen me ekzekutimin e vendimit
Neni: 477
Titulli: Lirimi me kusht
Përmbajtja: 1. Gjykata e vendit të ekzekutimit vendos për lirimin me kusht dhe revokimin e vendimit të lirimit me kusht, sipas kritereve të caktuara në Kodin Penal.
2. Kërkesa nuk mund të përsëritet para se të kenë kaluar gjashtë muaj nga dita kur vendimi i rrëzimit të kërkesës ka marrë formë të prerë.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›