E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Nano-Koçi: Të gjithë të majtët të bashkëpunojnë për largimin e Berishës



Iniciativa e liderit të LS-së, Ilir Meta, për të mbledhur në një tryezë faktorët e majtë, institucionalë dhe tradicionalë, për të koordinuar përpjekjet me qëllim largimin e Berishës dhe fitoren e së majtës, është realizuar dje në orën 12:00 në Hotel Tirana International. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano dhe kryetari i PSV ’91, Petro Koçi, u takuan dje së bashku për më shumë se një gjysmë ore, ndërkohë që në takim ka munguar kreu i PS-së, Edi Rama, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së, Paskal Milo si dhe figurat historike të PS-së, Servet Pëllumbi dhe Rexhep Meidani. Pas takimit, Meta, Nano dhe Koçi dolën me një deklaratë të përbashkët, në të cilin ata shprehën vullnetin e tyre të plotë për të bashkëpunuar për largimin e Sali Berishës nga pushteti më 28 qershor. Tre liderët e së majtës kanë theksuar se ”ne shprehim vullnetin politik për angazhimin e të gjitha kontributeve të së majtës progresiste, për garantimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, ndërprerjen e diversionit të forcave të majta ndaj njëra–tjetrës, vendosjen e një bashkëpunimi sa më të gjerë midis partive të majta dhe progresiste, për arritjen e objektivit kryesor: largimin e Sali Berishës dhe qeverisjes së tij të dështuar, krijimin e frymës së opozitës në fitoren e së majtës progresiste”. Ndërkohë ata kanë shprehur gatishmërinë për t’u takuar dhe për të bashkëpunuar edhe me faktorët e tjerë të së majtës, të cilët nuk morën pjesë në takim.
Pas takimit Meta, Nano dhe Koçi dhanë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u bëri thirrje komisionerëve të PS-së dhe të LSI-së për të ruajtur votat nga manipulimet në procesin zgjedhor të 28 qershorit, ndërkohë që konfirmoi qëndrimin e tij për koordinimin e bashkëpunimit të faktorëve të së majtës për largimin e Sali Berishës. “Vullneti im dhe i LSI-së ka për qëllim bashkëpunimin në radhë të parë për mbrojtjen e standardeve të zgjedhjeve më 28 qershor dhe koordinimin e të gjithë faktorëve të majtë për fitoren sa më bindëse dhe të sigurt të opozitës në tërësi dhe të majtës progresiste në zgjedhjet e 28 qershorit i gjithë projekti ynë është integrues, dhe në këtë drejtim ftesa mbetet e hapur dhe besoj se si në të kaluarën edhe në të ardhmen z.Rama do të jetë pjesë e projekteve tona integruese”, - tha Meta. Ndërkohë, ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, tha: “Nuk i kam ndërprerë takimet me socialistët dhe mesazhi shqetësues që vjen nga të katër anët e territorit të Shqipërisë është pikërisht mbështetja dhe çuarja përpara e kësaj lloj fryme dhe bashkëpunimi midis liderëve të së majtës. Unë jam këtu edhe në emër të socialistëve dhe shpresoj se liderët e radhës do të kuptojnë përpara dhe pas 28 qershorit, nuk mund të ndërtohet një karrierë me përçarje, nuk mund të ndërtohet asnjë e mirë e vendit në gjendjen e foshnjërisë të sotme politike”.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›