E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Velipojë: “Projektet kryesore të mandatit të dytë: turizmi dhe punësimi”



Banorët e Velipojës u mblodhën në një miting të madh në mbështetje të plotë të Partisë Demokratike dhe projektit të Shqipërisë Europiane. Në fjalën e saj në këtë takim, që znj.Jozefina Topalli e cilësoi si më të madhin e 20 viteve të fundit në Velipojë, kryetarja e Kuvendit u ndal në dy projektet kryesore të mandatit të dytë: turizmi dhe revolucioni industrial. “Në 4 vitet e ardhshme, Shqipëria do të jetë vendi më i preferuar i turistëve. Shqipëria pati këto katër vite bumin më të madh turistik në rajon. Në vitin 2008 ne pritëm 2.7 milionë turistë nga vetëm 300 mijë që ishin në vitin 2004. Kjo u bë e mundur edhe falë investimeve prej rreth 700 milionë dollarësh në zonat turistike bregdetare, në rrugë, ujësjellës e kanalizime, spitale, rrjete energjetike e porte”, - tha Topalli, që shtoi se katër vitet e ardhshme Shqipëria do të dyfishojë vizitorët e saj.

Mediu në Bulqizë shpreh bindjen për fitoren e së djathtës

Turi elektoral i kreut republikan Fatmir Mediu vijoi në Bulqizë. Gjatë fjalës së tij Mediu shprehu bindjen se shqiptarët do të bëjnë zgjedhjen e duhur në votimet e 28 qershorit, duke e quajtur edhe një herë këtë ditë, ditën e gjithë shqiptarëve. “Besimi te liria, te vetvetja, që të jemi të zotët të ndërtojmë të ardhmen tonë dhe pa dyshim besimi më i madh, besimi te bulqizakët dhe gjithë shqiptarët. Se ne duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë, ashtu si e duam vetë, si njerëz që kemi vetëm një rrugë dhe një të ardhme, të ardhmen tonë europiane”, - nënvizoi kreu republikan. “Unë shpreh bindjen se gjithë shqiptarët do të dinë kë të votëbesojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Do të zgjedhin më të mirën për ta dhe familjet e tyre, për të ardhmen tonë të përbashkët, sot në NATO, nesër në Bashkimin Europian”, - është shprehur Mediu.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›