Qytetarët, padi në gjykatë: Duam të votojmë më 28 qershor!
Vetëm pak ditë pasi kanë përfunduar listat e zgjedhësve, jo pak qytetarë të Tiranës i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës për të rifituar të drejtën e votës. Me kërkesën për t’iu njohur e drejta kushtetuese për të votuar, tashmë rreth 10 paditë e para janë regjistruar në këtë gjykatë. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje për gazetën “Albania” se për një kërkesë është dhënë dhe vendimi. Gjyqtarja ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e qytetarit më banim në Tiranë. Qytetari ka ngritur pretendimin se kur ka vërejtur listat përfundimtare në Njësinë Bashkiake ku banon nuk e ka gjetur emrin e tij. Ndërsa gjykata pasi ka hetuar për emrin e tij ka vërejtur se emri i qytetarit rezulton në listën përfundimtare, veçse në fshatin e tij shumë të largët nga kryeqyteti. Kësisoj, gjykata ka arritur në përfundimin se qytetarit në fjalë nuk i është cenuar e drejta për të votuar. Nga ana tjetër, qytetari është shprehur se ai do të heqë dorë nga vota për shkak të kostos së udhëtimit. Ndërkohë paditë e tjera janë ende në fazat e para. Ato vetëm sa kanë kaluar shortin elektronik dhe janë në pritje të vendimit të gjykatës.
23 Qershor 2009