Plani i Isës

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa e ka injoruar plotësisht Lëvizjen Vetëvendosje, duke mos e thënë asnjë fjalë për protestën që ka organizuar Albin Kurti.
Ai të dielën ka shënuar përvjetorin e LDK’së në Degën e Klinës.
Edhe pse ka dalë subjekti i tretë në zgjedhjet e fundit në këtë qytet, Kryetari i LDK’së ka thënë se partia po rritet me njerëz të rinj, me të cilët do ta fitojë pushtetin.
“Ajo që më gëzon veçmas sot, është se shoh një përbërje që s’e kam parë kurrë në Klinë. Një përbërje me njerëz të rinj që flet se LDK’ja e ka perspektivën e vet, se LDK’ja e ka ardhmërinë e vet dhe se do të fitojë në Klinë”, ka parashikuar Mustafa.
Ndryshe në përvjetorin e Degës së Klinës nuk është parë ish-Zëvendëskryeministri Ramë Manaj, i cili aktualisht ka postin e anëtarit të Kryesisë së LDK’së.
Megjithëkëtë, udhëheqësi i partisë më të madhe opozitare ka thënë se është e pamundur të mos fitojë LDK’ja, duke i parë ardhjet e reja dhe organizimin e partisë.
“Këtu kemi njerëz që i kanë vënë themelet e LDK’së, që kanë punuar 22 vjet në LDK, njerëz që me besnikëri i kanë qëndruar LDK’së. Por, kemi edhe të rinj që sot po ia japin besimin LDK’së, të cilët po e shohin ardhmërinë e tyre në LDK dhe të cilët po e shohin ardhmërinë e Kosovës në LDK”, ka shtuar ai.
Duke folur për të ardhmen, Mustafa ka thënë se perspektiva e Kosovës është në LDK.
“Ju siguroj se Kosova ardhmërinë dhe fatin më të lumtur e ka në LDK, sepse kjo parti, ashtu edhe siç e ka quajtur edhe Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova, është parti e lirisë, e pavarësisë dhe e demokracisë”, theksoi Kryetari Mustafa.
Ai ka thënë se aktualisht Kosova po qeveriset keq, derisa ka kërkuar hapësirë më të madhe për të rinjtë.
“T’ua hapim dyert të rinjve që ta ndërtojmë këtë shtet, shtet që do t’u ofrojë perspektivë të rinjve dhe fëmijëve tanë, shtet në të cilin do të funksionojë ligji dhe ku të gjithë do të jemi të barabartë para ligjit, që ta tejkalojmë këtë qeverisje të keqe që sot po manifestohet në Kosovë. Dhe, një shtet që do t’ua hapë dyert të rinjve dhe qytetarëve tanë drejt Europës”.
Sipas një njoftimi të LDK’së, edhe Dega e Suharekës e ka shënuar përvjetorin e 22-të themelimit.
“Në manifestimin madhështor të organizuar për shënimin e këtij përvjetori, kësaj dege iu bashkuan 350 anëtarë të rinj, të cilëve mirëseardhje në parti u dëshiroi Kryetari i LDK-së, dr. Isa Mustafa, i cili, bashkë me drejtues të tjerë të lartë, mori pjesë në këtë solemnitet të veçantë”, thuhet në njoftimin e LDK’së.
Po ashtu, ai tha se vizioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës sot ka të bëjë me rrugën, të cilën na e ka trasuar dr. Ibrahim Rugova, e që është rrugë e lirisë, e pavarësisë, rrugë e lirisë së brendshme dhe e ndërtimit të Kosovës.