Shkodër, tërhiqet uji nga zonat e prekura nga përmbytjet, normalizohet situata

Ministri i brendshëm Lulzim Basha inspekton ndërtimin e argjinaturave në komunat Bushat dhe Dajç
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm është vënë re një përmirësim i ndjeshëm i situatës në lagjet periferike të Shkodrës dhe në disa prej fshatrave të komunave Bushat dhe Dajç. Shtabi i Emergjencave në Shkodër ka informuar se dhe prurjet dhe shkarkimet nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vau i Dejës dje gjatë ditës janë pakësuar ndjeshëm. Në favor të përmirësimit të situatës ka qenë edhe moti i thatë dhe me diell që ka përfshirë gjithë zonën e Shkodrës.
Për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ka qenë dje që në orët e para të mëngjesit në fshatrat e komunave Dajç dhe Bushat.
Ndërkohë, dje paradite në lagjet Ajasëm, Bahçallëk, Livadhet dhe në komunën e Bërdicës është vënë re një tërheqje e ujit. Edhe dhe në vendin e quajtur harku i Bërdicës, pjesë e aksit Shkodër- Tiranë, e cila dy ditë më parë u mbulua nga uji, sot është vënë re tërheqje e tij. E pandryshuar situata në zonën e NënShkodrës. Shifrat e tokave të përmbytura mbeten të njëjta me ato që u raportuan dy ditë më parë.
6300 ha tokë nën ujë ndërkohë që të përmbytura rezultojnë 108 shtëpi dhe 805 të tjera janë rrethuar me ujë.
Vazhdon të jetë e izoluar komuna e Velipojës, Komuna e Dajçit dhe fshati Obot në Komunën Ana e Malit.
Ndërkaq, forcat e Ushtrisë janë përqendruar në komunat e zonës së Nënshkodrës për t’i ardhur në ndihmë banorëve me evakuimin e tyre, nëse pranojnë, apo me shpërndarjen e ndihmave ushqimore. Ka nisur furnizimi me ushqime dhe ujë të pijshëm për banorët e fshatit Obot të komunës Ana e Malit, disa fshatrave të komunës Dajç, në Malin e Jushit, në Bushat dhe një pjese të komunës Velipojë.
Gjithashtu po punohet për përforcimin e argjinaturës në vendet ku janë më të dëmtuara si në fshatin Darragjat, të komunës së Dajçit, në fshatin ças të komunës së Velipojë si dhe po ndërhyhet në argjinaturën e fshatit Ashtë, ku rrezikohet gërryerja e tokës nga fryrja e lumit Drin.
Problematike mbeten rrugët e fshatrave Obot dhe Goricë në komunën Ana e Malit, hyrja e rrugës kryesore të komunës Dajç dhe pjesa e aksit rrugor drejt Velipojës, pas Urës së Ded Gjo Lulit, të cilat janë të kalueshme vetëm nga mjetet e larta.
Forcat e ushtrisë kanë evakuuar 180 banorë kryesisht nga fshatrat Darragjat, Obot, Pemtar dhe Shirq të komunës së Dajçit.
Mësohet se të evokuarit janë strehuar në banesat e të afërmve të tyre dhe asnjë person nuk është strehuar në dy kampingjet dhe në konviktin e vënë në dispozicion nga institucionet shtetërore.
Minsitri i Brenshëm Lulzim Basha pas takimit në Komitetin e Emergjencave civile në Prefekturën e Qarkut të Shkodrës, ka vijuar inspektimin e tij në fshatin Ashtë të komunës Bushat, në argjinaturën e fshatit ças, dhe në komunën Dajç. Gjatë inspektimit të tij, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ka deklaruar se aktualisht, situata është problematike, ndërkohë, nga ana e Komitetit të Emergjencave Civile, në bazë edhe të udhëzimeve të Prefektit të Shkodrës, po monitorohet hap pas hapi situata.
Pas Ashtës, ministri i shoqëruar nga prefekti, Maxhid Cungu dhe deputetët e Shkodrës, Astrit Bushati, Arenca Trashani dhe Gëzim Dibra, kanë inspektuar edhe punimet në argjinaturën e fshatit ças, ku mjete të ushtrisë, vazhdojnë punimet për përmirësimin e kësaj argjinature për të mbrojtur komunën Velipojë nga përmbytjet.
Ministri ka kërkuar që të vazhdojë me të njëjtin intensitet puna për rikonstruksionin e kësaj argjinature.
Gjithashtu ministri ka inspektuar edhe argjinaturën e fshatin Darragjat të komunës Dajç e cila, përbën ende një rrezikshmëri të larte, që pas përmbytjeve të muajit janar.
Ai ka kërkuar me domosdoshmëri dhe në urgjencë të plotë, që forcat e ushtrisë të përqendrohen në këtë argjinaturë e cila në rast çarjeje do të rikthente sërish përmbytje akoma më të mëdha në komunën e Dajçit.