Kërkesat e Ronaldos për Manchester Cityn

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo është i gatshëm të transferohet në Manchester City, ka njoftuar të dielën Sunday Mirror. Për t’u bërë pjesë e skuadrës nga Eastlands, ai ka ‘vetëm’ katër kërkesa.
E para, kërkon rrogë prej 400 mijë funtesh në javë, që do të thyente të gjitha rekordet në futboll dhe në vit do të përfitonte 21 milionë funte.
Përveç kësaj, ai kërkon që gjatë qëndrimit të tij në klub, askush tjetër të mos ketë pagë më të lartë se ajo e tij, fanellën me numrin 7 (të cilën e mbante edhe gjatë kohës sa ishte në Manchester United dhe tani në Real Madrid) si dhe shiritin e kapitenit.
Një burim i afërt me futbollistin ka thënë se 26-vjeçari është i vetëdijshëm për interesimin e Manchester Cityt.
“Më ka thënë se është në dijeni për interesimin e Manchester Cityt dhe se klubi anglez është i gatshëm të paguajë shumë për transferimin e tij. Pagën më të madhe e kërkon për shkak se në Angli taksat janë më të larta”, shkruante Sunday Mirror.