E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimi i kohë-pagesës së pensioneve, opozita kërkon transparencë nga qeveria



Ervin KOÇI

Shkurtimi i kohës së pagesë për pensionet i cili po përpunohet nga qeveria, ka ngjallur këto ditë reagimin e dhe të ekspertëve të pavarur dhe opozitës. Kjo e fundit do të kërkojë nga maxhoranca që ta bëjë sa më parë transparent projektin mbi të cilin ekspertët e financave po punojnë. Deputetja e PS-së Ermelinda Meksi ka kërkuar dje nga qeveria dhe Ministria e Financave që të jenë sa më transparente me ligjin për pensionet, si dhe me draft-projektin që ekspertët e financave po punojnë. E pranishme në një takim të zhvilluar nga Banka Botërore mbi këtë çështje, deputetja Meksi pohoi për gazetën “Albania”, se kërkonte nga maxhoranca por dhe nga Financat që të bënin sa më parë të ditur ndryshimet që po përgatisin në ligjin për pensionet. “Nuk mund të vazhdohet me projekte që bëhen fshehurazi dhe që pastaj në fund paraqiten si të mirëqena në tryeza për t’u miratuar. Ne të gjithë duhet të dimë se si do të ndahen kontributet e pensioneve dhe se sa do të përfitojnë shtetasit shqiptarë sipas kategorive dhe jo të trajtohen që të gjithë me të njëjtin pension çka është e padrejtë”,- ka deklaruar deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi. Sipas deputetes Meksi, qeveria ka për detyrë që të informojë të gjithë shqiptarët për çdo ndryshim që mund të bëjë, në një kohë që edhe ndërkombëtarët që merren me këto projekte duhet ta detyrojnë atë për të qenë transparente. Këtë mendim ka ndarë edhe shefja e BB-së në Shqipëri Camille Nuamah, duke theksuar faktin se BB-ja, nuk i ka propozuar qeverisë uljen e viteve të pagesës me pension për shqiptarët.

Nuamah
“Banka Botërore nuk i ka propozuar qeverisë shqiptare që të uli kohën e viteve të pagesës së pensionit për ata që e përfitojnë këtë kontribut, pavarësisht bashkëpunimeve në këtë fushë”. Kjo ka qenë deklarata e shefes së BB-së, në Shqipëri, Camille Nuamah, e cila ka shtuar më tej se, “që prej një viti BB-ja ka përgatitur programe të ndryshme bashkë me qeverinë por jo për reformën në pensione, pasi ky nuk ka qenë qëllimi i projekteve”. Sipas saj, “reforma e pensioneve që të realizohet kërkon një konsensus të gjerë nga të gjitha palët, sidomos ato politike. Çështja e pensionit në Shqipëri nuk është një çështje afatshkurtër por afatmesme. Ka gjasa që mënyra sesi sistemi aktual i pensioneve funksionon, do të kalojë në deficit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe kjo gjë mund të trajtohet vetëm përmes reformave të qëndrueshme. Deri në vitin 2015 sistemi i pensioneve në Shqipëri parashikohet që të kalojë në deficit, prandaj duhet punuar për ta përmirësuar dhe rregulluar përmes reformave të tjera. Këtë çështje e kemi ngritur në BB-ë, por përmirësimet nga forcat politike do të krijojnë mundësinë për të diskutuar dhe debatuar mbi këto reforma”.

Ekspertët e BB-së
Ekspertët e BB-së kanë vënë theksin në kujdesin që vendi dhe qeveria duhet të tregojë për mirë-menaxhimin e skemës së pensioneve. Sipas tyre, “ndërkohë që reforma e pensioneve është një çështje afatmesme dhe afatgjatë çfarëdo që bëhet sot, përfitimet do të merren në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë dhe kërkohet një mjedis i përshtatshëm politik. Ndoshta duhet të pranojmë dhe faktin që Shqipëria ka punuar për përmirësimin e administratës së pensioneve dhe reforma ka sjellë përmirësime në adresimin e pensioneve dhe gjithë këto reforma do të hapin rrugën për reforma të tjera, sa i përket modelit, drejtimit apo sistemit të pensionit. Ndoshta çështjet apo temat e pensionit nuk janë shqetësuese për Shqipërinë sot, por gjithnjë e më shumë do të bëhen më të rëndësishme. Kjo sepse Shqipëria është një popullatë e re porsa i përket moshës dhe për shkak të papunësisë në tregun informal, të ardhurat do vijnë duke u ulur në një kohë që shpenzimet do vijnë duke u rritur. Kjo do të thotë që do të bëhet një çështje më e rëndësishme në të ardhmen”. Sipas ekspertëve të BB-së, është e rëndësishme që individët të dinë se në të ardhmen do të shpërblehen për atë që kanë paguar si kontribute pensioni.

BOX///////////////////////////////////
Raporti i BB-së: Niveli i korrupsionit në Shqipëri më i larti në rajon

Korrupsioni në Shqipëri mbetet në nivele shqetësuese. Pavarësisht, reformave të ndërmarra për reduktimin e tij, sërish Shqipëria mbetet vendi me nivelin më të lartë në rajon. Por jo vetëm, edhe qeverisja nuk është në nivelin e duhur, për të realizuar objektivat e një vendi kandidat për në Bashkimin Europian. Konstatimet janë bërë nga Banka Botërore, gjatë një konference dy ditore për zhvillimin ekonomik. Në bazë të këtij raporti, i cili nuk është publikuar i plotë, është arritur në konkluzionin se niveli i ryshfetit që paguajnë bizneset në raport me xhiron është i lartë. Clelia Rontoyanni, specialiste e sektorit publik është shprehur se: “Shteti ligjor dhe mbajtja nën kontroll e korrupsionit mbeten aspektet më të dobëta të qeverisjes në Shqipëri dhe ato kufizojnë arritjen e objektivave për zhvillimin e vendit”. Afro 50 % e të anketuarve, që përfaqësojnë kompani biznesi në vend, thonë se paguajnë ryshfet të lartë në administratë. E thënë në % të xhiros rezulton se 10.2% e saj paguhet nën dorë në formë takse. Në raport evidentohet se bizneset janë të qarta se në sektorët ku korrupsioni është i lartë ata parapërgatiten për të paguar në mënyre informale. Sektorët problematik që prekin qytetarët nga korrupsioni janë shëndetësia apo drejtësia, ku besimi tek gjykatat mbetet vërtet i ulët.

3 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›