Negociatorët, kafja, uji dhe cigaret, të vetmet shoqëruese të 90 minutave
Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, ashtu siç kishin premtuar një ditë më parë, u treguan korrektë për orën e fillimit të diskutimeve për raundin e katërt të negociatave mes palëve për zgjidhjen e krizës politike. Kreu i grupit demokrat, Patozi, iu drejtua dje Kryesisë së Kuvendit rreth orës 10.30 minuta, ku 30 minutat përpara takimit i kaloi në zyrën e tij. Nga ana tjetër, në 10.55 Ruçi iu drejtua sallës së pritjeve të Kryesisë së Kuvendit, në katin e dytë, që mbante numrin 236. Iu desh të priste në sallë vetëm pak minuta, sepse Patozi mbërriti menjëherë pas tij dhe duke shtrënguar duart, iu drejtuan kamerave, të cilat kishin minuta që po i prisnin. Për mediat, Patozi dhe Ruçi pozuan në kolltukët komodë të sallës së pritjes, por menjëherë sapo kamerat dolën, dy krerët e grupeve iu drejtuan tryezës së punës, për të kaluar aty 90 minutat e ardhshme. Burimet bëjnë të ditur se gjatë një ore e 30 minuta që takimi zgjati, e vetmja që ua prishi qetësinë dy krerëve të grupeve ishte kamerierja e Kuvendit, për të marrë porosinë e mëngjesit. Kafe dhe ujë pa gaz ishte porosia e njëjtë për të dy kryetarët e grupimeve parlamentare. Por në kundërshtim nga homologu i tij demokrat, kreu i grupit socialist, Ruçi, e shoqëroi kafen e tij, me shumë gjasa dhe bisedën, me cigaret e tij “Marlboro”. Si gjurmë të kësaj, pas takimit një paketë e zbrazët ishte harruar mbi tryezë dhe një tavull me shumë filtra cigaresh ishte prova se negociatat nuk ishin edhe aq të lehta. Nga ana tjetër, dy krerët e grupeve kishin lënë në takim dosjet bosh të dokumenteve që u ishin referuar gjatë bisedës së gjatë. Pas përfundimit të takimit në orën 12.30, dy krerët e grupeve morën rreth 15 minuta pushim, përpara se të dilnin në konferencë për shtyp. Burimet bëjnë të ditur se këto minuta u kanë shërbyer Patozit dhe Ruçit për të komunikuar me kryetarët e tyre të partisë, për të informuar dhe për të pasur edhe një ide më të qartë përpara se të bënin konkluzionet e takimit publike.
#