Situata politike në axhendë, takime intensive me përfaqësues të së majtës
Vizita e delegacionit të Partisë Socialiste dhe aleatit të saj të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, në Greqi, ka pasur një axhendë shumë intensive, që tejkalon kuadrin zyrtar të forumit ekonomik të Internacionales Socialiste. Përveç takimit kokë më kokë me Kryeministrin grek, Jorgo Papandreu, njëkohësisht President i Internacionales Socialiste, bëhet e ditur se kreu socialist, Edi Rama, ka pasur një sërë kontaktesh me përfaqësues të lartë të së majtës europiane, ku ai ka rikthyer në diskutim debatin politik në Shqipëri. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se kontaktet me politikanët e së majtës europiane kanë synuar rritjen e sensibilitetit për kërkesat e PS-së, të cilat në një formulim politik afirmojnë presionin ndaj qeverisë së Sali Berishës. Gjithsesi, ka rënë në sy klima thuajse miqësore mes Ramës dhe kreut grek, Papandreu, i cili është një politikan mjaft me ndikim në arenën europiane dhe më gjerë. Edhe pse është ende shpejt për të folur për rezultatet konkrete të vizitës së Ramës dhe delegacionit të PS-së në Greqi, duhet thënë se në diplomacinë opozitare ai ka arritur rezultate domethënëse, që kulmojnë me rezolutën e fundit të Parlamentit Europian.
#