E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kërkimi i identitetit të munguar

16/06/2005  Diskurs kulturor

Për Jakov Milajn dhe për shqetësimet rreth librit të tij "Raca shqiptare"

Mehmet Kraja

Më 1944, pra gjashtëdhjetë e sa vjet më parë, Jakov Milaj botoi librin "Raca shqiptare", i cili, për shkak të rrethanave politike në Shqipëri dhe më gjerë, u mbulua me heshtje për një kohë të gjatë. Rizbulimi i Milajt dhe rikthimi i librit të tij te shqiptarët, nuk u bë me ndonjë zhurmë të madhe mediale dhe as me ndonjë entuziazëm të madh të lexuesve. Libri i Milajt, kur u "rizbulua" për herë të parë në vitet nëntëdhjetë, u kundrua me indiferencë nga shumica e intelektualëve shqiptarë dhe, aty-këtu, u quajt si një trashëgimi ‘sui generis’ e mendimit politik dhe filozofik shqiptar. Madje, ai nuk bëri as aq përshtypje sa bënë librat e një plejade të tërë mendimtarësh të periudhës para Luftës së Dytë Botërore, ku bënin pjesë përfaqësuesit e të ashtuquajturit "neoshqiptarizëm", me Branko Merxhanin, Vangjel Koçën, Lumo Skëndon etj., si përfaqësues kryesorë. Arsyet përse ndodhi kështu me librin e Jakov Milajt, mund të kenë qenë të shumta, por dy prej tyre duhen veçuar: e para, intelektualët shqiptarë, të cilët kishin kaluar nëpër "purgatorin komunist" të shpëlarjes së trurit, nuk ishin të gatshëm ta rehabilitonin "racistin" Milaj (siç hezituan për një kohë të rehabilitonin, ta zëmë, Fishtën dhe Koliqin), sepse edhe pas dvarjes së ëndrrës së keqe të diktaturës, kishin mbajtur vesin e keq të dyshimit në çdo gjë që vinte nga matanë ideologjisë; dhe, e dyta, sepse Jakov Milaj me librin e tij "Raca shqiptare", meqë kishte rënë në grackën e racizmit, dukej i paakceptueshëm jo më për trashëgimtarët e mendësisë komuniste, por edhe për trendet bashkëkohore të "mendimit të lirë". Madje, kishte edhe zëra që thoshin se diktatura nuk kishte bërë edhe aq keq që e kishte tëharrë këtë bar të keq nga fusha e mendimit politik shqiptar, sikundër që kishte edhe të tillë që Milajn dhe librin e tij, pa hyrë në esencat përmbajtësore, por më shumë për shkak të “inatit antikomunist”, e mbivlerësuan dhe i dhanë atribute, që realisht nuk mund t’i mbante. Në këtë kuadër mund të hyjë edhe shkrimi i M.Haxhisë.

Sido që të jetë, ky kapitull rreth Milajt dhe librit të tij, realisht mund të konsiderohet i mbyllur.

Por, gati si pahetueshëm, shfaqet një problem i ri, jo rreth librit dhe ideve që bart ai, por rreth shkallës gjoja të pamjaftueshme të dënimit që kanë marrë libri dhe autori përgjatë gjashtëdhjetë vjetëve të shkuara. Është bërë të thuash zakon, se ata që duan të godasin sa më fort, kërkojnë që caku i sulmit të tyre të jetë sa më i madh, sa më i rëndësishëm, sa më domethënës. Pikërisht këtu qëndron gracka. Të përfshirë nga trendet e modës, që me nguti secili të zbulojë “plangprishësit” dhe burimet e së keqes në troll të vet, disa individë kërkojnë ta gjejnë “racizmin shqiptar”, ku është dhe ku nuk është, t’i japin atij përmasa fantastike, në mënyrë që efekti i goditjes së tyre të jetë sa më zhurmues, duke humbur ndjenjën e masës dhe ndjenjën për realizëm. Kjo është si puna e bretkosës, që ngriti këmbën të mbathej si kau. Me fjalë të tjera, ata që e njohin më mirë historinë, sado të shkurtër të mendimit politik shqiptar, e dinë mirë se libri i Milajt është një gur i vogël mozaiku, i cili vërtet ka pak ngjyrë të zezë, por që është fare i vogël, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Nga ana tjetër, është e njohur botërisht se mendimi themelor politik shqiptar, që nga Sami Frashëri, deri te Konica e këndej, nuk është futur asnjë herë në ujërat e shovinizmit, të fashizmit ose racizmit. Është gjithashtu e njohur se, shqiptarët, si mentalitet dhe etnopsikologji, si tani, si në të kaluarën, nuk kanë dhënë shenja të “superioritetit racor”, madje në shumë raste kanë shpërfaqur inferioritet të bezdisshëm. Prandaj, frika e modës më të re se, edhe te ne mund të gjendet njëfarë tradite e mendimit politik fashist ose racist, që vendos bazat e nacionalizmit ose shovinizmit hipotetik, është një zhurmë për asgjë, me përdorim jashtëzakonisht të kufizuar.

Dhe, duke pasur parasysh këtë rrethanë, tani vimë te dilema në duhen botuar ose ribotuar librat e këtillë, si këtë të Jakov Milajt, dhe a duhen botuar shkrime afirmative, kritike ose rrafshuese rreth tyre. Natyrisht që po. Nëse ka një defekt në krejt këtë punë, ashtu sikundër thuhet në njërin nga reagimet, ai konsiston pikërisht te mungesa e njohjes dhe të vlerësimit kritik. Për trashëgiminë tonë, qoftë ajo edhe e fushës së mendimit politik, ne duhet t’i hapim letrat dhe të mos krijojmë mistifikime të panevojshme. Eshtë e kuptueshme se në këtë “proces të vështirë drejt njohjes” së munguar, do të ballafaqohemi edhe me vlerësime që nuk na pëlqejnë, ose që i konsiderojmë të paqëndrueshme. Fundja, po të kishim një plotëni më të madhe shikimi, nuk do ta kundronim Jakov Milajn vetëm si eksponent të fashizmit, ose racizmit, por librin e tij do ta vinim në kontekst të mendimit politik evropian ndërmjet dy Luftërave Botërore; ose jo vetëm në kontekst të rrethanave historike të Shqipërisë së asaj kohe, por edhe në kontekst të mendimit politik shqiptar, i cili, meqë ra fjala, me Konicën hap një faqe të re në raport me idetë e Rilindjes Kombëtare; me përfaqësuesit e “neoshqiptarizmës” kërkon identitet të ri; me Jakov Milajn bie në një grackë “evropiane”; kurse me komunizmin përjeton katastrofë të pariparueshme. Edhe në ditët e sotme, mendimi politik shqiptar vazhdon të kërkojë identitetin e vet të munguar.

Libri i Jakov Milajt është vetëm një pamundësi e gjetjes së këtij identiteti.

Polemika mbi “Raca shqiptare”

Ribotimi i veprës “Raca shqiptare” me autor Jakov Milajn, botuar nga UEGEN, zgjon vëmendjen e studiuesve dhe publicistëve në Kosovë dhe Shqipëri. Shkaktimi i reagimeve dhe polemikave vjen pas botimit të artikullit kritik mbi veprën e Milajt, “Thelbi i ekzistencës të njohësh vetveten", të autores Miranda Haxhia. Pikërisht vlerësimi i veprës ka bërë që të hyjnë në debat të kundërt disa personalitete.

Teoritë e racës dhe ridemsionimi i kësaj vepre në ditët e sotme ka qenë arsyeja e kundërreagimit të dy autorëve Muhamedin Kullashit, profesor në Universitetin e Sorbonës në Paris, dhe Besnik Pulajt, doktorant në një nga universitetet e SHBA-së.

Ndërsa, publicisti dhe shkrimtari Mehmet Kraja, duke e parë këtë si diskurs kulturor, në një pozicion tjetër, pohon se vepra e Milajt nuk duhet të kundrohet me paragjykime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›