E Hënë, 2 Nëntor 2026

Robert Elsie: “Nuk e kam denigruar Zotin Kadare“

16/06/2005  Ekskluzivisht për gazetën “Metropol”, përkthyesi i njohur i letrave shqipe në gjuhën angleze, Robert Elsie, hedh poshtë “akuzën” e bërë në një të përditshme shqiptare për “mashtrim me çmimin e Kadaresë”; Keqkuptim dhe keqinterpretim - është komenti që i bën përkthyesi artikullit të botuar kundër tij; Elsie tregon lidhjet e Kadaresë me botën angleze dhe si e ka pritur zgjedhjen e përkthyesit të preferuar të Kadaresë, që i ka besuar 15 mijë euro të akorduara për përkthimin e veprave të tij nga çmimi britanik.

Është e vërtetë që përkthyesi Robert Elsie ka thënë për Kadarenë se, “është relativisht pak i njohur dhe pak i përkthyer në gjuhën angleze”. Pikërisht, kjo fjali ka shkaktuar një reagim të ashpër ndaj përkthyesit Elsie, kur ky i fundit tregon për gazetën “Metropol”, se pohimin e ka bërë në një ligjeratë që i ka kushtuar Kadaresë, në janar të këtij viti, në Amerikë, kur ishte i ftuar nga Universiteti i Miçiganit. “Pohimi nuk është aspak denigrues për zotin Kadare, është vetëm një realitet, që me siguri edhe autori e pranon”, ka thënë Elsie, duke iu referuar të dhënave statistikore për veprat e botuara të Kadaresë në gjuhë të huaja.

Ndërsa për titullin e artikullit “Robert Elsie, mashtrim me çmimin e Kadaresë” (të botuar si titull në një të përditshme shqiptare në Tiranë, datë 10 qershor 2005) përkthyesi thotë se ka mbetur mjaft i habitur, dhe se, deri tani nuk është shprehur asnjëherë për çmimin ’Man Booker’ ndërkombëtar, që i është akorduar Kadaresë.

Elsie tregon lidhjet e Kadaresë me botën angleze dhe si e ka pritur zgjedhjen e përkthyesit të preferuar të Kadaresë, që i ka besuar 15 mijë euro të akorduara për përkthimin e veprave të tij nga çmimi britanik.

[V.M.]: Në një gazetë të përditshme në Shqipëri, është shkruar kohët e fundit se ju jeni shprehur për Kadarenë: "Kadareja është pak i njohur dhe pak i përkthyer në gjuhën angleze". Pohimin tuaj gazeta në fjalë e ka cilësuar si të pavërtetë dhe të papranueshëm për një personalitet si ju. Nëse ju e pranoni pohimin e mësipërm, nga jeni nisur për të shprehur një konkluzion të tillë për botimin e veprave të Kadaresë në Britani?

[R.E.]: Duhet t’ju them se jam habitur pak nga ky artikull. Nuk jam shprehur fare deri tani për çmimin ‘Man Booker Ndërkombëtar’, i cili i është akorduar zotit Kadare dhe për të cilin e përgëzoj përzemërsisht. Nga ana tjetër, është e vërtetë që kam thënë se Kadareja është relativisht pak i njohur dhe pak i përkthyer në gjuhën angleze. Këtë pohim e bëra, besoj, në një ligjëratë që i kushtova Kadaresë në janar të këtij viti në Amerikë, kur isha ftuar nga Universiteti i Miçiganit. Besoj se gazeta në fjalë e ka keqkuptuar apo keqinterpretuar diçka. Pohimi nuk është aspak denigrues për zotin Kadare, është vetëm një realitet, që me siguri edhe autori e pranon. Sipas llogaritjes sime të përafërt, deri tani, 35 vepra të Kadaresë kanë dalë në gjuhën frënge, 24 kanë dalë në gjuhën greke dhe 23 kanë dalë në gjuhën spanjolle, kurse vetëm 12 kanë dalë në gjuhën botërore, anglisht! Kur i krahasojmë 12 vëllimet anglisht mëtej, për shembull, me 20 vëllimet që kanë dalë holandisht, pra në një gjuhë të vogël, besoj se del e qartë që vepra letrare e Kadaresë nuk ka depërtuar në atë masë në botën anglishtfolëse si në vendet e tjera. Kadareja është një emër i njohur për lexuesin francez dhe librat e tij shiten shumë, kurse në Amerikë apo në Angli, zor të gjesh një libër të Kadaresë në një librari. Tregu është i ndryshëm.

Shihet, pra, që ka shumë për t’u bërë, në mënyrë që veprat e tij të njihen më mirë në vendet anglishtfolëse. Unë jam i bindur që akordimi i çmimit ‘Man Brooker Ndërkombëtar’ është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim dhe që ky çmim prestigjioz do të nxisë interes për librat e tij, mbase edhe për letërsinë shqiptare, në përgjithësi.

[V.M.]: Cila është axhenda juaj e përkthimeve në gjuhën angleze, veçanërisht nga veprat e Kadaresë? [R.E.]: Unë vazhdoj të përkthej autorë të letërsisë shqiptare, sipas kohës që kam në dispozicion dhe sipas qejfit. Shumë përkthime të mia janë botuar në vendet e ndryshme, por kam edhe shumë material të përkthyer dhe të shfaqur në faqen time të internetit: ëëë.albanianliterature.net, ku janë të pranishëm më shumë se 60 autorë shqiptarë, ndër ata është natyrisht edhe Ismail Kadareja.

[V.M.]: Kur keni nisur të përktheni veprat e Kadaresë?

[R.E.]: Që në vitin 1993 botova një cikël poezish të Kadaresë në një antologji poetike në Angli. Kam përkthyer edhe romanin “Krushqit janë të ngrirë”, i cili u botua në Amerikë në vitin 1997. Kohët e fundit kam përkthyer edhe tre tregime të bukura të Kadaresë, të cilat parashikohen të dalin në antologjinë e parë e tregimit shqiptar anglisht, “Balkan Beauty, Balkan Blood”. Ky vëllim, i përgatitur nga unë, do të botohet nga “Northwestern University Press” në Çikago, në janar të vitit 2006.

[V.M.]: Si albanolog, cilët nga përkthyesit në kohëra të ndryshme do të vlerësonit për përkthimet që kanë bërë nga shqipja në anglisht?

[R.E.]: Sa e shoh unë, të gjitha botimet që kanë dalë në Angli apo në Amerikë kanë qenë shumë të mira. Një përjashtim duhet të bëhet mbase për vëllimet e hershme të Kadaresë, të përkthyera dhe të botuara në Tiranë gjatë kohës së diktaturës komuniste, të cilat, sipas meje, nuk arrijnë nivelin e duhur, p.sh. “Dasma” anglisht 1968, dhe “Kështjella” anglisht 1970.[V.M.]: Po për përkthyesit e Kadaresë në këtë gjuhë ç'mendim keni, duke iu referuar sidomos këtu njërit prej tyre Arshi Pipës?

[R.E.]: Kadareja ka disa përkthyes anglisht, apo të themi më mirë, ka disa persona, të paktën dhjetë veta, që janë marrë herë pas here me përkthimin e veprave të Kadaresë anglisht në Perëndim. Për fat të keq, deri tani nuk ka dalë anglisht një përkthyes profesionist, në kuptimin e një njeriu, i cili e përkthen Kadarenë si angazhim kryesor dhe i cili jeton nga përkthimet e tilla, siç e disponon Kadareja për gjuhët e tjera: frëngjisht (Jusuf Vrioni, Tedi Papavrami), spanjisht (Ramón Sánchez Lizarralde), gjermanisht (Joachim Röhm) dhe holandisht (Roel Schuyt).

Lidhur me Arshi Pipën, sa e di unë, ai e kishte përkthyer “Kronikë në gur”, por duke qenë se anglishtja nuk ishte gjuha e tij amtare, përkthimi kishte dalë me të meta dhe shtëpisë botuese i është dashur të redaktojë përkthimin rrënjësisht. Në fund, libri kishte dalë pa e përmendur emrin e përkthyesit.

Nga përkthyesit e tjerë të Kadaresë janë Derek Coltman (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, anglisht 1971); Jon Rothschild (“Kush e solli Doruntinën”, anglisht 1988); Barbara Bray (“Pallati i ëndrrave”, anglisht 1993; “Koncerti” anglisht 1994), dhe Emile Capouya (“Nga një dhjetor në tjetrin” anglisht 1994), të cilët kanë përkthyer nga frëngjishtja. Përkthyesi më aktiv sot është David Bellos nga Universiteti i Princeton-it (“Piramida”, anglisht 1996; “Dosje H”, anglisht 1997; “Lulet e ftohta të marsit” 2002; dhe “Pasardhësi” anglisht 2006), i cili përkthen gjithashtu nga frëngjishtja. John Hodgson nga Londra ka përkthyer nga shqipja “Prilli i thyer” anglisht 1990, dhe “Urën me tri harqe” anglisht 1997, kurse Peter Constantine ka përkthyer “Tri këngë zie për Kosovën” anglisht 2000. Koha e fundit, John Cox nga Universiteti i Virgjinisë Perëndimore, ka përkthyer “Brezninë e Hankonatëve”, përkthim ky nga gjermanishtja, por nuk ka marrë autorizimin e botimit nga Fayardi, ku, siç duket, ka mjaft ngatërresa. Nuk di pse. Është për t’u gëzuar që zoti Kadare e ka nderuar David Bellos me çmimin e përkthimit, duke qenë se ky i fundit vazhdon me përpjekjet e tij për të prezantuar shkrimtarin shqiptar botës anglishtfolëse.

Shpresoj se, pas akordimit të çmimit ’Man Brooker Ndërkombëtar’, do të dalin përkthime të tjera anglisht nga Bellos-i, mbase edhe nga të tjerët, sepse Kadareja është një autor, i cili vlen të lexohet dhe i cili lexohet me shumë kënaqësi. Ky çmim është një shans i madh për Kadarenë, edhe për letërsinë shqiptare.

Intervistoi: Violeta Murati

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›