E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohej në Itali për trafik droge, kapet durrsaku

Ndalohet një i dënuar nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar droge. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit bëjnë të ditur se ditën e hënë është kapur në një lokal të qytetit 33- vjeçari Sokol Isteri. Mësohet se i riu ishte shpallur në kërkim, pasi drejtësia e shtetit fqinj e ka dënuar me nëntë vjet heqje lirie. Vendimi për dënimin e tij është dhënë më 19 janar të këtij viti nga Gjykata e Pizës në Itali, e cila e ka njohur durrsakun si fajtor për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Me të marrë njoftim për vendndodhjen e tij, shërbimet e Policisë së Durrësit kanë organizuar një aksion për kapjen e të dënuarit në mungesë. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se ndalimi i shtetasit Sokol Isteri, 33 vjeç, lindur dhe banues në Durrës u bë në një nga lokalet e qytetit bregdetar. Veprimet e policisë dhe ndalimi i tij janë mbështetur dhe nga një vendim i nxjerrë po të martën nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, e cila e ka njohur vendimin e gjykatës italiane. Isteri u kap në një lokal në lagjen numër 9 të qytetit bregdetar, ku dhe banon me familjen. Pas veprimtarisë së paligjshme mes Shqipërisë dhe Italisë, i ndaluari ishte strehuar në qytetin e lindjes për t‘i shpëtuar vuajtjes së dënimit në Itali. Ndërkohë autoritetet përkatëse të dy vendeve, nëpërmjet bashkëpunimit të vendosur prej vitesh, kanë koordinuar informacionet dhe veprimet për të çuar në pranga durrsakun e dënuar për trafik droge.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›