Zihen për kompjuterin, plagoset 22-vjeçari
Një përleshje me thika mes dy grupe të rinjsh në Tiranë ka rrezikuar seriozisht jetën e një 22-vjeçari të quajtur Shpresim Hasaj. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Kinostudios, kur dy grupe të rinjsh janë grindur me njëri-tjetrin për motive banale. Grindja degradoi në një përleshje duke përdorur edhe thikat. Për pasojë, 22-vjeçari Hasaj ka marrë disa plagë në trup dhe është çuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Burime nga spitali bëjnë të ditur se Hasaj është jashtë rrezikut për jetën. Policia, e njoftuar për këtë ngjarje, është nisur menjëherë në vendin e krimit, duke identifikuar autorin e ngjarjes. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja ndodhi në një lokal me lojëra në kompjuterë në Qesarakë. Aty ka qenë edhe i plagosuri kur është zënë me një të ri tjetër. Ky i fundit ka njoftuar vëllain, duke deklaruar se ishin zënë për kompjuterët dhe të dy bashkë kanë plagosur me thikë Hasajn. Sipas policisë, dy vëllezërit e dyshuar janë shoqëruar në polici, ndërkohë që i dëmtuari ka dalë nga spitali, pasi gjendja shëndetësore është përmirësuar.