E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohej për tentativë vrasjeje, kapet 30-vjeçari

Pas krimit të kryer në Durrës, kapërcen kufirin, por kapet nga autoritetet policore greke dhe i dorëzohet policisë shqiptare. Ky ka qenë fati i 30- vjeçarit durrsak, Ervis Kasa, i cili u ndalua nga seksioni i Krimeve kundër Personit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, vepër e kryer në bashkëpunim, si dhe prodhimit e mbajtjes së armëve luftarake pa leje. Ndalimi i Kasës u bë në zbatim të urdhër-ndalimit të prokurorisë të nxjerrë në fund të korrikut të këtij viti. Së bashku me Ervis Tafaruçin dhe Indrit Shtrazën, Kasa akuzohet për ngjarjen e ndodhur afër Vilës së Zogut, ku mbeti i plagosur rëndë 27-vjeçari Besnik Kulla. Ngjarja ndodhi natën e 9 korrikut, te sheshi i një pallati 10-katësh, pas një konflikti të çastit. Kasa u kap nga autoritetet e policisë greke dhe u dorëzua në vendkalimin kufitar të Kapshticës në Korçë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›