E Diel, 1 Nëntor 2026

I ngel kushëririn në fizikë, i riu dhunon drejtorin e shkollës

Denoncimi Sipas policisë kryeqytetase, agresori Dritan Alhasa u arrestua pak çaste pas denoncimit

Një drejtor shkolle, mësues i vjetër fizike, ka rënë pre e dhunës në ambientet e institucionit edukues, pasi kishte ngelur në klasë një nxënës të tij. Ai nuk është goditur nga nxënësi, por kushëriri i tij, i cili kishte ardhur nga qyteti i Lushnjës, me qëllim që të kalonte maturantin, i cili rrezikonte shkollën e lartë. Bëhet fjalë për rrahjen e mësuesit Vladmir Bodeci, 61 vjeç, i cili tashmë drejton shkollën e mesme “Sandër Prosi”, që ndodhet mbi godinën e Sanatoriumit në Sauk të Tiranës, në ish-mjediset e Institutit të Bletës. Për këtë, policia e kryeqytetit ka vënë në pranga agresorin, që ka tentuar të largohet nga shkolla, por është kapur shumë shpejt nga uniformat blu.

Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë. Ditën e hënë, në ambientet e Komisariatit Nr. 1 është paraqitur drejtori i shkollës, Vladimir Bodeci. Ai ka shpjeguar se paradite, pikërisht rreth orës 10:40 është goditur me grushte nga një person i ri, i cili më vonë është identifikuar si Dritan Alhasa, 29 vjeç, lindur e banues në fshatin Zhamë në Lushnjë.

Drejtori i shkollës ka treguar se te gjimnazi “Sandër Prosi”, ai jep edhe mësim për fizikë, lëndë të cilën e ka dhënë prej vitesh te të rinjtë. Në lidhje me këtë, ai ka ngelur në klasë një nxënës, i cili kishte bërë shumë mungesa dhe nuk ishte përgatitur, pavarësisht se ishte maturant. Pas ngeljes, maturanti ka kërkuar të takohet me drejtorin, me qëllim që t’i mbushë mendjen që t’i kalojë klasën, pasi do të konkurronte për shkollën e lartë dhe kjo e digjte për këtë vit. Megjithatë, drejtori nuk ka pranuar. Pas refuzimit, maturanti i ka sjellë kushëririn 29-vjeçar. Dy ditë më parë, ata janë takuar në shkollë, ndërkohë që Dritan Alhasa është munduar të bindë Bodecin, që të kalojë gjimnazistin, të cilin e kishte kushëri. Ai nuk ka pranuar dhe kjo ka sjellë irritim të dy palëve, kështu që ka plasur konflikti, ku drejtori është goditur disa herë nga bashkëbiseduesi.

Menjëherë për këtë ngjarje është njoftuar policia, e cila ka shoqëruar të dyshuarin në orët e natës, nga konsultimet edhe me prokurorin, ka vendosur që të arrestohet për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës. I riu nuk e ka pranuar akuzën, duke pretenduar se edhe ai ishte goditur nga drejtori i shkollës, megjithëse kjo nuk i ka bindur oficerët që të bëjnë lirimin e tij, duke e cilësuar si të rrezikshëm.

Policia tha se në shkollë janë vendosur edhe punonjës policie, të cilët pas njoftimit të dhënë kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën. Sipas të dhënave, konfliktet në shkolla, shpeshherë kanë qenë më problematiket, sa u përket masave të marra nga policia e kryeqytetit për mbarëvajtjen e procesit mësimor në të gjitha gjimnazet e Tiranës. Siç dihet, që në fillim të shkollës, policia ka bërë disa fushata sensibilizimi në shkolla, ku janë trajtuar si çështjet e konflikteve dhe mbajtja e armëve të ftohta, ashtu edhe përdorimi dhe shitja e lëndëve narkotike. Pak kohë më parë, një tjetër konflikt ndodhi në shkolla, ku një shitëse rrahu një mësuese. Konflikti erdhi për shkak të problemit që ngriti mësuesja për ndërhyrjen e shitëses në orët e mësimit për të shitur sende të ndryshme te nxënësit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›