E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pelegrinazhi te Jasharajt: Bac, kemi shumë për të bërë!

Me homazhe në varrezat e Jasharëve në Prekaz, Polac e gjetiu, si dhe në Kompleksin Përkujtimor të UçK-së në Marinë, mandej me vizita nëpër familjet e dëshmorëve të kësaj komune dhe me një akademi solemne në Shtëpinë e Kulturës është shënuar sot dyvjetori i shpalljes se pavarësisë së Kosovës në Komunën e Skenderajt. Në këto aktivitete kanë marrë pjesë personalitete të shquara të Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës, FSK-së, Policisë së Kosovës, shoqatave të dala nga lufta dhe të institucioneve të tjera të shumta, të Komunës së Skenderajt dhe mijëra qytetarë.

Pasi ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prekaz, kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se Jasharët për Kosovën hapen një epokë të madhe, epokën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. “Duke u përulur para këtyre burrave e grave, që gjithçka që patën e dhanë për të ardhmen tonë, ne nderojmë të gjithë dëshmorët dhe ata që në forma të ndryshme ranë për lirinë tonë, edhe ata që nuk kanë varre, apo nuk kanë as ndonjë gurë te koka, por që për ne kanë hapur perspektiva të reja”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, është zotuar se obligimet e parashtruara do të kryhen me përkushtimin të madh. “FSK do të jetë përherë në mbrojtje të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, rrënjët e të cilit janë në gjakun e derdhur të vajzave dhe djemve më të mirë të kombit”, ka thënë ai.
Homazhe në Prekaz ka bërë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj me bashkëpunëtorë. Duke folur në akademinë solemne të organizuar në Shtëpinë e Kulturës në Skenderaj, Flora Brovina, shtetin e ri të Kosovës e ka krahasuar me një foshnje e cila erdhi në jetë para 2 vjetësh nga pellgu i gjakut të dëshmorëve dhe sakrificës kombëtare. “Shteti u bë dhe rinia brohoriti gjithandej “Bac, u kry!”. Dy vjet pas, këtu në Prekaz përulemi me nderim dhe pëshpëritim “Bac, kemi shumë punë për të bërë!”, ka thënë Brovina.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›