Thellohet deficiti tregtar, importet rriten me 22.6 për qind
Edhe pse qeveria ka ndërmarrë një sërë politikash lehtësuese në favor të bizneseve vendase, bilanci i tregtisë së jashtme del në favor të mallrave të importit. Sipas raportit të fundit të Institutit të Statistikave, INSTAT, për muajin shkurt deficiti tregtar i këtij muaji arriti rreth 260 milionë USD, duke shënuar një rritje prej 10.9% krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 26.5% krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007. Kështu, në muajin shkurt të vitit 2008 u eksportuan rreth 90 milionë USD mallra, me rritje 17.1% në krahasim me muajin janar 2008 dhe rritje me 13% në krahasim me muajin shkurt 2007. Ndërsa importet regjistruan 350 milionë USD mallra, me rritje 22.6% në krahasim me një vit më parë dhe rritje 12.5% në krahasim me muajin janar 2008. Sipas INSTAT-it, në këtë periudhë, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 32 milionë USD, duke zënë 9.1 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me janarin, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 19.8%, ku peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës me 71.5 për qind. Në raport thuhet se, tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 64.6%, ku partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Përveç këtyre, rritje të eksportit dhe importit ka pasur edhe me vendet si, Kroacia, Kina, Turqia, Austria, Rusia etj.