Vetëvendosjes i ikin dy deputetë
Lëvizja Vetëvendosje, nga nesër, do të ketë vetëm 12 deputetë - aq sa ka Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe SLS-ja në Parlamentin e Kosovës.
Kjo pasi që Lëvizja për Bashkim - parti kjo që konkurroi në zgjedhjet e vitit të kaluar bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje - ka vendosur ta braktis Grupin Parlamentar të Albin Kurtit.
“Nesër, e martë, më 20.9.2011, në ora 11.00, mbahet konferencë për media. Në këtë konferencë do të publikohet vendimi i Lëvizjes për Bashkim për tërheqjen e dy deputetëve të saj, Aurora Bakalli e Agim Kuleta, nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes “Vetëvendosje!” dhe do të shpalosen arsyet e këtij vendimi”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes për Bashkim, të lëshuar sot në mesditë.
Lëvizja për Bashkim ka pasur vazhdimisht vështirësi për t’i bashkërenduar aktivitetet më Lëvizjen Vetëvendosje. Por vendimi i fundit për tërheqjen e dy deputetëve të saj duket se vjen pasi kreu i Vetëvendosjes ka vendosur masa të rrepta kontrolli për prononcimet publike të deputetëve që bëjnë pjesë në grupin e tij.