E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja e detit nga ujërat e zeza, gjoba deri në 100 mijë euro

25/05/2011  Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, paralajmëron sanksionet për subjektet që ndotin

DURRES- Masa të forta ndëshkimore do të merren për subjektet që kapen se shkarkojnë ujëra të zeza në det, ndër të cilat gjobat do të jenë shumë të ashpra, deri në 100 mijë euro. Këtë masë e ka deklaruar dje nga Durrësi ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, i cili ka zhvilluar një takim për turizmin në prefekturën e Durrësit. Ministri Mediu ka paralajmëruar se subjektet turistike ose jo që kapen se abuzojnë me derdhjen e ujërave të zeza në det do të bllokohen, më pas do të gjobiten me shuma që shkojnë deri në 100 mijë euro, si dhe për to do të kërkohet ndjekje penale.

Ndotja

Mediu ka deklaruar dje se është e papranueshme dhe e patolerueshme që akoma të ketë pika të nxehta ku ujërat e zeza nuk janë disiplinuar duke u derdhur në det. Ai ka thënë se pika të tilla që deklarohen se nuk janë mbyllur në Currila, Shkëmbin e Kavajës dhe Golem, nuk duhet të jenë më si të tilla. Ai ka kërkuar bashkëpunimin e INUK (Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar), inspektoratit të shëndetit publik dhe policisë për ndërhyrje të menjëhershme në raste të tilla. Problemi i dytë që ka ngritur ministri Mediu ka qenë ai i mbetjeve urbane, për të cilat është kërkuar që Këshilli i Qarkut të miratojë sa më parë një vend për trajtimin e mbetjeve urbane për të gjitha njësitë vendore të qarkut të Durrësit. Në lidhje me lokalet e natës dhe muzikën live, Mediu është shprehur se tashmë ka një plan kombëtar për zhurmat, muzikën dhe nivelin e tyre. Në këtë plan janë përcaktuar edhe oraret dhe gjithçka tjetër dhe në këtë mënyrë edhe për këtë kategori do të ketë gjoba dhe bllokim të aktiviteteve nëse konstatohet mosrespektim i orareve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›