E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet zëvendësuesi i Van Nistelroit

Me Rud van Nistelroin të dëmtuar, Reali i Madridit ka filluar të studiojë tregun për të gjetur një zëvendësues të denjë të holandezit. Problemi muskulor që sulmuesi pësoi në ndeshjen e fundit të kampionatit të kaluar (nga i cili iu deshën dy muaj për t‘u rikuperuar) ishte sinjali i parë i alarmit. Situata është bërë më problematike me dëmtimin në kavilje, i cili e ka detyruar t‘i nënshtrohet operacionit. Për më tepër, nuk duhet harruar fakti se në korrik Van Nistelroi mbush 32 vjeç dhe është në perëndim të karrierës. "Van Goal", si e thërrasin tifozët madrilenë ka vënë në pozitë të vështirë të gjithë klubin. Lojtari dhe stafi mjekësor vendosën në mënyrë tejet sekrete që të operohej, duke qenë të bindur se kjo ishte zgjidhja më e mirë e problemit, i cili ishte shndërruar në një dëmtim kronik. Trajnerit Bernd Shuster do t‘i duhet të bëjë pa njeriun më cilësor në repartin ofensiv, pikërisht në momentin më deciziv të kampionatit. Në Madrid shpresojnë që Van Nistelroi të rikuperohet përpara datës 7 maj, datë kur në "Santiago Bernabeu" do të luhet superklasikja me Barcelonën. Rikuperimi në kohë për këtë sfidë nuk është i sigurt, edhe sepse stafi mjekësor nuk dëshiron që të nxitojë rehabilitimin e lojtarit. Përveç kapitenit Raul, tashmë Shuster do të ketë në dispozicion Soldadon, që edhe pse ka karakteristika të njëjta me Van Nistelroin nuk gëzon të njëjtën eksperiencë dhe nuhatje përpara portës.

Sipas të përditshmes spanjolle "Marca", Reali i Madridit ka përgatitur listën e zëvendësuesve të mundshëm të holandezit. Në krye të saj qëndron lojtari i kombëtares spanjolle, i cili militon me Valencian, David Vija. Megjithatë, blerja e tij duket shumë e komplikuar. Pas tij po shqyrtohen alternativa të tjera, të cilat fillojnë me brazilianin e Seviljas, Luis Fabiano, për të vazhduar me holandezin e Ajaksit, Huntelar. Në listën e blerjeve të mundshme ndodhen edhe sulmuesi i Çelsit, Didier Drogba dhe ai i Interit, Zlatan Ibrahimoviç. Në lidhje me interesimin e "merengues" për të përforcuar sulmin ka shkruar edhe gazeta tjetër madrilene, "AS", e cila theksonte se mund të fillojnë bisedimet me Lionin për francezin Benzema. Edhe për këtë lojtar, gjetja e një marrëveshjeje nuk është e thjeshtë: lojtari ka shprehur dëshirën për të qëndruar te kampionët e Francës dhe ka rinovuar kontratën deri në vitin 2013, klauzola për prishjen e kontratës kushton 100 milionë euro, por mbi të gjitha në gjurmët e 20-vjeçarit (që ka shënuar 26 gola në këtë sezon) janë vënë shumë klube të mëdha evropiane.

E përditshmja tjetër iberike, "Sport" ka zbuluar edhe emrin e trajnerit që preferohet nga drejtuesit e Realit, në rast se Shuster largohet në fund të sezonit. Bëhet fjalë për teknikun e Romës, Luçiano Spaleti, pasi ai cilësohet i aftë të ndërtojë një skuadër që luan futboll spektakolar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›