Trezege synon "stërkëmbëshin" ndaj Interit
David Trezege vazhdon të lihet jashtë kombëtares. Tekniku Rajmond Domenek nuk e ka grumbulluar sulmuesin edhe për sfidën që Franca "B" do të luajë me Malin. Kjo është arsyeja përse 31-vjeçari ka vendosur të përqendrohet totalisht te Juventusi dhe te sfida e së shtunës me Interin. Trezege kërkon që përballë kryesuesve të Serisë A, bardhezinjtë të marrin 3 pikët dhe të rihapin kampionatin. "Nuk do të pranoja të hyja në fushë me mendimin për të marrë vetëm një barazim", tha ai. "Ne do të provojmë ta fitojmë këtë sfidë. Nuk do ta kemi të lehtë, por nuk kemi se çfarë të humbasim. Mendoj se do të luajmë një futboll sulmues, për t‘i krijuar sa më shumë vështirësi". Më tej, francezi ka pohuar se skuadra bardhezi kërkon të rihapë kampionatin dhe se pas asaj që ndodhi në skandalin "Calciopoli" do të ishte perfekte sikur titullin ta fitonte Roma. "Nëse do të arrinim të rihapnim kampionatin do të ishte diçka vërtet e bukur. Fitorja e parë përballë Interit pas ‘Calciopolit‘ do të ketë një shije të veçantë dhe pas gjithë atyre që kanë ndodhur do të preferoja që kampionatin ta fitonte Roma, vazhdoi Trezege. Interi dhe Roma kanë diçka më shumë se ne. Duhet të jemi të kënaqur nëse në fund të sezonit renditemi në vendin e tretë ose të katërt, por dëshirojmë që vitin e ardhshëm të kthehemi në nivelet maksimale. Jemi të motivuar, të shtunën do të luajmë kundër skuadrës më të mirë në Itali. Interi i tanishëm të kujton Juventusin e përpara 3-4 viteve: skuadër e pathyeshme. Ibrahimoviç? Është një nga futbollistët më të mirë në botë, do të më kishte pëlqyer që të kishim luajtur së bashku edhe për ca kohë". Në fund, sulmuesi ka folur edhe për momentin e vështirë të Juventusit: "Jemi fajtorë sepse nuk po luajmë mirë. Ndryshe nga faza e parë e kampionatit ndodhemi në vështirësi, por edhe skuadrat e tjera po vuajnë. Kjo është pjesa më e rëndësishme e kampionatit, duhet të marrim sa më shumë pikë".