E Diel, 1 Nëntor 2026

"Rastësia" e çuditshme e akuzave ndaj UÇK-së

Në kulmin e fushatës elektorale për raundin e dytë të zgjedhjes lokale në Kosovë dhe dy ditë para se të niste procesi në Hagë për të shqyrtuar vlefshmërinë ligjore të pavarësisë së Kosovës, (pas padisë së Serbisë) në Prishtinë u shfaq një qytetar nga Lipjani, i quajtur Nazmi Bllaca, i cili deklaroi pa iu dridhur qerpiku se ai ka marrë pjesë në vrasjet politike në Kosovë, të urdhëruara nga ish-drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Normalisht deklarata e Bllacës shkaktoi furtunë politike në Prishtinë, ku pati mohimin e një pjese të madhe politike që vinte nga UÇK-ja, por që ruajti qetësinë dhe përkrahjen e një pjese politike që realisht gjatë luftës kanë qenë në anën tjetër të barrikadës. Pikërisht këtë gjë e bëjnë ata që e kanë akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si "terroriste". Krerët e Kosovës reaguan fort, duke kërkuar që të zbardhen të gjitha rastet që vërtetohen se ka pasur "vrasje politike". Deklaratës së Bllacës i pararendën edhe deklaratat në Kuvend të deputetit të LDD-së, Gani Geci, i njohur që në kohën e luftës si antagonist me UÇK-në, i cili ka kërkuar që të dëgjohet në Kuvend dëshmia e Bllacës, gjë që nuk është pranuar nga kreu i Parlamentit Jakup Krasniqi. Por, çështja është në dorën e EULEX-it, i cili ka kontrollon organet e drejtësisë në Kosovë dhe po heton çështjen. Në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, gjykatësi ndërkombëtar i procedurës paraprake, Francesko Florit, ka marrë vendim që të akuzuarit Nazim Bllaca t‘i shqiptohet masa e arrestit shtëpiak në një kohëzgjatje prej 30 ditësh. Me këtë vendim, gjyqtari Florit ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorit Mauricio Salustro, i cili propozoi që Bllacës t‘i shqiptohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Megjithatë, ishte shumë e çuditshme koha e nxjerrjes në tregun politik dhe mediatik të akuzave të tilla ndaj ish-UÇK-së dhe të ashtuquajturit SHIK, që ka qenë shërbimi informativ i rezistencës së armatosur të Kosovës. Nuk është hera e parë që mbi shqiptarët e Kosovës ngrihen akuza për krime dhe vrasje politike. Të tilla kanë qenë akuzat zyrtare të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për Krime ndaj Njerëzimit, Karla del Ponte, ndaj dy prej simboleve të luftës së Kosovës, përkatësisht Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt. Por, pas një hetimi dhe procesi të gjatë, dy ish-komandantët e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e OKB-së. Pas këtij vendimi, Haga dha një "vulë të thatë" ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën në fakt ia kishte dhënë mbarë opinioni jo vetëm shqiptar, por edhe botëror. UÇK-ja ka qenë aleatja direkte e NATO-s dhe e shërbimeve perëndimore. Gjithsesi, sërish dikush del dhe akuzon, ndërkohë që ka edhe komentatorë që i mëshojnë tezës se në Kosovë ka pasur krime politike dhe duhet të hetohen. Padyshim, një qëndrim i arsyeshëm. Por gjithçka mund të ketë një rrjedhë tjetër nëse ashtu siç pritet ngjarjet e ditëve të fundit të kenë reflektim edhe në procesin që po zhvillohet në Hagë. Beogradi, si tezë kryesore, ka etiketimin e UÇK-së jo si forcë çlirimtare, por si grupim që ka kryer krime. Me Limajn dhe Haradinajn nuk ia doli. Atëherë shpiku Gurrën e Burrelit, por i doli sërish huq. Ndërsa qarqe të politikës kosovare nuk vonojnë ta përdorin këtë fakt për qëllimet e tyre elektorale, edhe pse ata vetë kanë qenë viktimë e makinacioneve të tilla. Kjo më shumë se gjithçka është një lojë e rrezikshme me kujtesën historike të Kosovës, por sidomos me kontekstet e sotme të përballjes së saj me Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ndotja apo tendenca për ndotje të brendshme, sot në Kosovë, padashur shkakton edhe cenim të imazhit të së drejtës së mbrojtur në luftën e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›