E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojmë mirëkuptim

Nënkryetari i Parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, për herë të parë e pranon se janë duke e shqyrtuar ofertën për koalicion me Lidhjen Demokratike të Dardanisë, por nuk sqaron se kur do t’i kthejnë përgjigje Nexhat Dacit.

Në një bisedë për Express, Kryeziu kërkon mirëkuptim që përgjigjja nuk mund të kthehet shpejt. “Nuk mund të them se kur do t’i kthejmë përgjigje, sepse edhe ne në LDK kemi një agjendë partiake dhe shtetërore dhe kërkojë mirëkuptim nga të gjithë për këtë”, thotë Kryeziu për Express, të hënën.
Nënkryetari i Parë i LDK’së nuk dëshiron të komentojë idenë për të shtyrë në krye të LDK’së, djalin e vogël të ish-Presidentit, Ukë Rugovën.

“Po nuk ka asgjë të keqe të dëgjojmë ide të reja”, thotë Kryeziu, derisa përmend familjen Rugova dhe Jashari si pinjollë të pavarësisë së Kosovës.
Ai e ka komentuar edhe letrën e Astrit Haraqisë, i cili ka propozuar largimin e katër nënkryetarëve dhe zëvendësimin e tyre me emra të rinj.

“Astriti është djalë i ri, entuziast dhe nuk po më vjen mirë që po merret edhe
ai me letra”, ironizon Kryeziu.

Ai tregon një përvojë personale me kolegun nga partia.

“Po ua tregoj një përvojë interesante me Astritin. Kur është kthyer nga Haga, më pati thënë se ka medituar shumë sa ka qenë atje. Tash po e shoh se e ka lëne meditimin dhe është kthyer në origjinë”, thotë Kryeziu.

“Astriti është djalë i ri dhe modest edhe për nga idetë”, shton ai.

Ai sqaron se është i gatshëm të lëshojë karrigen partiake për emra të rinj.

“Shikoni, edhe më herët kam ofruar dorëheqjen dhe edhe tash jam i gatshëm ta liroj karrigen për gjeneratat e reja. Por, aty nuk mund të më zëvendësojë, për shembull, Astrit Haraqija, sepse ende është djalë i ri”, përgjigjet Kryeziu.
Ndryshe, Haraqija pati drejtuar shigjetat kah Eqrem Kryeziu për humbjen e LDK’së në Prizren.

Ish’Kryetari i Prizrenit, Eqrem Kryeziu ka shpjegim edhe për këtë.

“E kam thënë vazhdimisht se këtu ka humbur Kosova, e jo LDK’ja. Sepse ka qenë rasti i mirë për të përmirësuar shumë gjëra në Prizren. Edhe Astriti nuk është ndier mirë që nuk kemi fituar në Prizren”, përgjigjet Kryeziu.

“Nuk besoj se dikush mund ta përdorë humbjen në Prizren, e aq më tepër kur në LDK jemi të hapur edhe për kritika. Thashë edhe më herët, edhe për humbje edhe për fitore ekzistojnë adresat në LDK”, thotë Nënkryetari i LDK’së.

Ai ka folur edhe për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të partisë së tij. “Sigurisht se do të shkohet në zgjedhje këtë vit, në bazë të statutit do të vendoset edhe për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit. Asgjë nuk do të ketë jashtë statutit të LDK’së”, ka përfunduar ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›