E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohje edhe para vendimit të GJND-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka paralajmëruar për mundësinë e njohjeve edhe para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mirëpo nuk ka dashur të jap afate kohore, duke thënë se është e nevojshme një shkallë diskrecioni në diplomaci.

Kreu i diplomacisë së Kosovës, i bëri këto komente pas mbledhjes së Komisionit parlamentar për punë të jashtme, para të cilit ka raportuar për punën e deritashme të MPJ-së dhe për sfidat që e presin diplomacinë e Kosovës në muajt e ardhshëm.

Hyseni, ka thënë se njohje do të ketë edhe para vendimit të GJND-së, mirëpo ka thënë të mos kërkohen detaje tjera.

“Njohje do të ketë edhe para vendimit të GJND-së dhe këtë mund ta theksoni dhe mund të më mbani për fjale, mirëpo mos kërkoni më shumë detaje, sepse ne biseduam edhe në komision dhe pata kënaqësinë që ta shoh që edhe komisioni ka mirëkuptim të plotë për këtë. Një shkallë diskrecioni në diplomaci është e domosdoshme, bile-bile kryetari, profesor Hamiti tha se diplomacia nuk është ndeshje futbolli që mund t’i nënshtrohet dhe duhet ta dijë secili çka po ndodhë”, është shprehur Hyseni.

Nga ana e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, ministri Hyseni nuk ka marrë kurrfarë notash vlerësuese, ngase siç ka thënë kryetari i komisionit Sabri Hamiti kjo mbledhje nuk ka qenë për të vlerësuar punën e MPJ-së, por për të bashkëbiseduar për zhvillimet në rrafshin diplomatik.

Sidoqoftë, në emrin e tij personal, Hamiti ka bërë vlerësime të larta për punën e deritashme të ministrit Hyseni.

“Meqë mbledhja nuk ka pasur një karakter vlerësuar, unë i lejoj vetes të bëjë në emrin tim, jo në emër të komisionit. Unë mendoj që eksponenti numër një i politikës së jashtme që në këtë rast është Skënder Hyseni, në muajt e fundit ka demonstruar edhe dije edhe takt edhe sjellje diplomatike që e kanë nderuar Kosovën jashtë. Prej pikave të forta diplomatike në Evropë deri në Këshillin e Sigurimit dhe në SHBA”, ka thënë Hamiti.

Por njësoj nuk mendon përfaqësuesi i opozitës, Ibrahim Gashi, i cili përfaqëson Aleancën Kosova e Re në Komisionin për politikë të jashtme.
Gashi, konsideron që ka vend që Ministria e Punëve të Jashtme të pranojë se nuk ka përmbush tërë misionin e vetë në funksion të intensifikimit të procesit të lobimit dhe rritjes së numrit të njohjeve.

Ai ka kritikuar MPJ-në për anashkalim të potencialit të mundshëm nacional për lobim në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Ne nuk kemi parë një strategji akoma, një strategji të përfshirjes së gjithë këtij potenciali në një vend që ta ndihmojë Ministrinë e Punëve të Jashtme. Unë jam dakord që misioni, aktiviteti i ministrit të Punëve të Jashtme është i pazëvendësueshëm dhe ai duhet të jetë aty, por që të thuhet dhe të mos i bëhet thirrje edhe akterëve tjerë që mund të jenë pjesë e rëndësishme e këtij procesi, kjo për neve është e pajustifikueshme”, ka theksuar Gashi.

Sipas tij, potencial i domosdoshëm në procesin e lobimit janë individët që janë në Kosovë me influencë në bashkësinë ndërkombëtare në forma të ndryshme, diaspora e Kosovë, e cila ka individë që kanë kontakte dhe mundësi komunikimi me instanca të larta, por edhe personalitetet ndërkombëtare.

Sido që të jetë, njëshi i diplomacisë së Kosovës, Hyseni ka vlerësuar se viti 2010 është krucial për Kosovën, dhe këtë ai e lidh me mendimin këshilldhënës të GJND-së dhe me zhvillimet që mund të pasojnë pas këtij mendimi të GJND-së.

“Unë ju siguroj që në rrafshin diplomatik e ardhmja e Kosovës ka arsye të shihet me optimizëm, ka arsye të shihet me një dozë të theksuar të pritjeve pozitive dhe Kosova gjatë këtij viti, përkundër sfidave po them të rëndësishme para saj, mund të pres zhvillime shumë të rëndësishme”, është shprehur ai.

Në mbledhje të së mërkurës të Komisionit për punë të jashtme, Ministria e Punëve të Jashtme, ka marrë kritika edhe për neglizhencë për fillimin e punës së misioneve diplomatike dhe shërbimet në disa ambasada me gjithë faktin se tash e një vit janë emëruar ambasadorët.

Ndërkohë, ministri Skënder Hyseni ka mohuar spekulimet për probleme brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, përkatësisht problemeve mes ministrit Hyseni dhe zëvendëses Vlora Çitaku, duke thënë se nuk dëshiron të merret me to dhe se nuk ka asgjë të vërtetë në ato që janë thënë në këtë drejtim. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›