E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë kupën e parë

Atletico Madrid dhe Fulham do të ballafaqohen në mes vete të mërkurën mbrëma, në Hamburg të Gjermanisë, në finalen e Europa League (ish-Kupa UEFA). Të dyja skuadrat befasuan për të mirë gjatë gjithë vitit. Spanjollët eliminuan rivalin Valencia, por edhe gjigantin anglez, Liverpool, në gjysmëfinale. Kurse, anglezët rrëzuan ekipin italian, Juventus, dhe dyshen gjermane, Wolfsburg dhe Hamburg.

Andaj, me të drejtë, të dyja ekipet kërkojnë që ta ngrisin lart Kupën, në stadiumin Hamburger Arena, të mërkurën mbrëma. Diego Forlan ishte protagonist i madrilenëve këtë sezon. Ai shënoi golin vendimtar që e eliminoi Liverpoolin. Sulmuesi me eksperiencë kërkon nga bashkëlojtarët e tij që mos ta nënvlerësojnë Fulhamin.

“Fulham ka ekip që punon fort dhe ka lojtarë të mirë. Në aspektin defanziv, ata janë solidë, por edhe në mesfushë kanë lojtarë me eksperiencë, të cilët kanë fituar tituj. Janë të rrezikshëm edhe në sulm. Nuk mendoj se Atletico është favorit për ta fituar finalen. Mendoj se gjasat janë 50 me 50”, tha ai për ueb faqen zyrtare të UEFA-s.

“Natyrisht, ne do të shkojmë atje me besim në vetvete dhe në mënyrën se si po luajmë. E dimë se kemi mësuar shumë dhe jemi bërë ekip më solid, duke punuar”, tha uruguaiani, i cili mendon se në finale vendosin detajet e vogla nëse fiton apo humb. Forlan pret një finale spektakolare dhe atmosferë të shkëlqyer nga fansat në stadium.

Zoltan Gera ishte njeriu që ia siguroi finalen Fulhamit, në fitoren ndaj Hamburgut. Ai, së bashku me bashkëlojtarin Zamora, ka realizuar më së shumti gola në këtë kompeticion, që nga faza e grupeve – 6 sosh.

“Unë kënaqem duke luajtur me këto ekipe, po e shijoj lojën në Evropë. Kam shënuar shumë gola të rëndësishme, por më nevojitet edhe ndihma e ekipit. Ndoshta në Evropë futbolli është më i ngadalshëm sesa në Premierligë, e për këtë kam më shumë kohë për topin”, tha sulmuesi hungarez, i cili kishte realizuar dy gola ndaj Juventusit.

“Është kohë fantastike për të luajtur te Fulhami. Sezonin e kaluar e patëm arritur pozitën më të mirë në Premierligë, ndërsa tash kemi arritur në finale të Europa League. Është një gjë e paimagjinueshme, por mund të arrijmë edhe më shumë.

Tek Atletico pritet të mungojë portieri Asenjo, që është lënduar së fundmi, ndërsa te Fulhami e dyshimtë është paraqitja e dy lojtarëve mjaft të rëndësishëm, Bobby Zamora dhe Damien Duff.

Europa League

Finalja
E mërkurë Ora
Atl. Madrid – Fulham 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›