E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë miqësore

Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk ia ka dalë t’ia sigurojë një ndeshje miqësore përfaqësueses së Kosovës, e cila do të mund të zhvillohej në fund të këtij muaji. Megjithatë, udhëheqësit e futbollit kosovar po punojnë intensivisht në këtë drejtim dhe janë në bisedime me disa skuadra të huaja, si: Bursaspor, Sion, Xamax, Kalmar, Orebro, etj. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 13 mars 2011 në ora 14:20

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ende nuk ka arritur t’ia sigurojë përfaqësueses së Kosovës një kundërshtar për ndeshje miqësore për datat e lira - 26 dhe 29 mars.

Drejtuesit e futbollit kosovar po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta gjejë një ekip të huaj për ta zhvilluar në Prishtinë një ndeshje miqësore.

Në shtëpinë e futbollit kosovar thonë se gjasat janë më të mëdha që në Prishtinë të zbarkojë ndonjë klub i huaj, megjithëse nuk e përjashtojnë as mundësinë që përfaqësuesja e Kosovës të luajë kundër ndonjë përfaqësueseje tjetër.

“Jemi duke bërë përpjekje ta gjejmë një ekip rival për përfaqësuesen e Kosovës, por diçka konkrete ende nuk ka. Ideja është që ndeshja miqësore të zhvillohet me datat e lira të UEFA-s e FIFA-s”, ka thënë zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha, për Express.

Sipas tij, FFK-ja kryesisht është duke e shqyrtuar mundësinë që ta bind ndonjë klub turk, zviceran apo suedez që të vjen në Kosovë. “Jemi duke punuar në atë drejtim dhe mbetet të shihet deri ku do të mbërrijmë”, shtoi Berisha.

Mirëpo, burime të Gazetës Express brenda FFK-së kanë bërë të ditur se përveç kampionit aktual të Turqisë, Bursaspor, drejtuesit e futbollit kosovar janë në kontakte edhe me zyrtarë të klubeve zvicerane Sion e Neuchatel Xamax.

Sipas këtyre burimeve, zyrtarët e FFK-së janë në bisedime edhe me drejtues të skuadrave suedeze Kalmar e Orebro.

Bunjaki në pritje

Selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, thotë se është në pritje të ndonjë lajmi nga Federata e Futbollit e Kosovës se me kë do të luajë ekipi i udhëhequr nga ai në fund të këtij muaji, apo nuk do të luajë fare.

Ai thotë se nuk mund të bëjë planifikime si selektor për ndeshjen miqësore që pritet të zhvillohet në fund të këtij muaji, derisa nuk konfirmohet zyrtarisht emri i ekipit kundërshtar.

“Unë jam duke e pritur konfirmimin nga FFK-ja. Pa marr konfirmim nga Federata, unë nuk mund ta planifikoj procesin për zhvillimin e miqësores. Fillimisht duhet të marr njoftimin zyrtarisht nga FFK se a do të luajmë dhe me kë do të luajmë, pastaj unë e planifikoj procesin dhe zhvillimin e tij”, tha Bunjaki për Express.

Por, ai thotë se nuk do t’i mbetej hatri edhe nëse FFK-ja nuk ia del t’ia organizojë në këtë muaj një ndeshje miqësore reprezentacionit kosovar.

“Unë e kuptoj FFK-në se nuk e ka aspak lehtë të organizojë ndeshje të tilla, sepse nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, dhe ka shumë faktorë që ndikojnë negativisht në objektivat e FFK-së”, theksoi Bunjaki i cili me reprezentacionin kosovar i ka korrur disa rezultate pozitive në disa ndeshje miqësore, sa i ka zhvilluar deri më tani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›