E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë shkarkimin e Qeverisë kroate

Nga Express më 02 mars 2011 në ora 20:33

Rreth 1.500 demonstrues janë mbledhur të mërkurën mbrëma në Zagreb, në protestën më të re antiqeveritare të organizuar përmes rrjetit shoqëror Facebook.

Demonstruesit kësaj radhe, për dallim nga tentimet e mëhershme kur ishin penguar nga policia, kanë arritur deri te selia e partisë HDZ, ku kanë brohoritur “HDZ ik!”, “Hajna, hajna”, “Duam zgjedhje”. Në mesin e transparenteve ka dominuar ai në të cilin shkruante “330.000 të papunë, 40.000 pa paga, kapitalizëm - jo faleminderit”.

Fillimisht, demonstruesit ishin përpjekur të arrijnë deri te selia e Qeverisë së Kroacisë në sheshin “Marko”, ku me ligj janë të ndaluar tubimet, por ata janë ndaluar nga policia.

Marshi protestues ka bërë thirrje për dorëheqje të qeverisë dhe protesta më të fuqishme.

“Të gjithë në rrugë”, “Mafia, mafia!”, ishin disa nga thirrjet e demonstruesve, të cilët pasi janë penguar nga policia për të arritur para selisë së Qeverisë, janë nisur drejt selisë së HDZ-së në Sheshin e viktimave të fashizmit.

Protesta është mbështetur edhe nga Partia e Laburistëve kroatë dhe Kuvendi demokratik i Istrës, por edhe studentët e Fakultetit Filozofik të Zagrebit dhe organizata joqeveritare “Aksioni i gjelbër”.

Kjo ishte në mesin e shumë protestave tjera të ngjashme që po mbahen kohëve të fundit, në të cilat po kërkohet largimi i Qeverisë aktuale, para se gjithash, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale në Kroaci.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›