E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftimet ne Libi Gedafi Lufte deri ne burrin e fundit

Intensifikohen luftimet mes kryengritësve dhe forcave pro Gadafit në Libi. Forcat besnike të liderit libian, Muammar Gaddafi u përpoqën të hyjnë në territorin e kontrolluar nga kryengritësit, duke marrë një objekt të nxjerrjes së naftës në qytetin e Bregas. Por, më vonë, kryengritësit thanë se kanë rimarrë kontrollin e qytetit i cili raportohet të jetë tërërisht i pastër nga forcat pro Gadafit.

Avionë të forcave qeveritare gjithashtu sulmuan edhe një depo municionesh në qytetin e afërt të Axhadijas. Ndërkohë, televizioni shtetëror transmetoi pamje të kolonelit duke folur në një sallë të madhe në Tripoli, ndërsa turmat thërrisnin slogane të tipit “ Zoti, Muamari dhe Libia”. Sipas Gadafit, ai dhe mbështetësit e tij do të luftojnë deri në burrin dhe gruan e fundit. Në përpjekje për të shpjeguar trazirat  në vend, ai ka fajësuar celulat e Al Kaedës.

Agjencitë e lajmeve thonë se në dy javë, kolonel Gadafi ka humbur kontrollin në pjesë të mëdha të vendit, ndërsa dhuna e përdorur ka sjellë një krizë humanitare në kufirin me Tunizinë, ku dhjetëra mijëra të huaj, nuk kanë mundësi të kthehen në vendin e tyre.

Mbi 75 mijë njerëz e kanë lënë Libinë deri tani dhe 40 mijë të tjerë presin të kalojnë kufirin, sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara.

Në kryeqytetin Tripoli, një mjet i ngarkuar me karburant ka shpërthyer, por mbetet e paqartë nëse flitet për sabotim.
Dy anije luftarake amerikane, kanë hyrë në Kanalin e Suezit me destinacion Mesdheun, pas urdhërit të lëshuar nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates për të qëndruar në afërsi të Libisë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon e ka çuar në 1000 numrin e viktimave deri tani. Kombet e bashkuara e kanë pezulluar Libinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkaq, një ish- ndihmës i liderit libian ka deklaruar se shumica në ushtrinë vendase mbështesin kryengritjen. Nuri al Mismari, që ka qenë në krah të Gadafit për 40 vjet, dha dorëheqjen nga posti i shefit të protokollit dhe nga Franca ka deklaruar se libianët nuk do të ishin kundër një ndërhyrjeje ushtarake ndërkombëtare në vend.

Juli Prifti Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 02 mars 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›