E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim për trajnimin profesional

Ministri i Punës, Anastas Duro, u takua dje me zëvendësministrin kosovar të Punës, Gjergj Dedaj. Në takim, zëvendësministri kosovar theksoi se për të përballuar situatën e papunësisë, qeveria dhe Ministria e Punës së Kosovës, kanë ndërmarrë një fushatë intensive për rritjen e punësimit brenda vendit, por, njëkohësisht, kanë intensifikuar kontaktet veçanërisht me qeveritë vendeve të BE, në përpjekje për të arritur marrëveshje dypalëshe, që do t‘i hapnin rrugë punësimit sezonal të të rinjve kosovarë në tregun evropian të punës. Ministri Duro u shpreh se bashkëpunimi mes dy vendeve është i nevojshëm edhe në fushat që mbulojnë dy ministritë dhe kjo është vërtetuar edhe me bashkëpunimin tashmë të suksesshëm në fushën e formimit profesional, ku Ministria e Punës së Kosovës ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, nëpërmjet ofrimit të mundësisë për formim profesional ndërkufitar për të papunët e zonave të Kukësit e Tropojës, në qendrat moderne të formimit profesional, respektivisht në Prizren dhe Gjakovë. "Bashkëpunimi me të gjitha vendet është i rëndësishëm, theksoi Duro, por të dyja palët duhet të tregohemi më të ndjeshme për të rritur bashkëpunimin mes vetë institucioneve tona, pasi është në interes reciprok dhe lehtësisht i realizueshëm". "Jemi të gatshëm ta forcojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin dypalësh, që për disa rrethana fatlume të tilla si, gjuha, afërsia gjeografike, afeksioni i ndërsjellë mes qeverive dhe shtetasve në të dy anët, bëhen edhe më të rëndësishme", saktësoi Duro.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›