E Diel, 1 Nëntor 2026

Në flakë anija panameze, plagosen tre marinarë shqiptarë



Anija panameze kishte shkarkuar karburantin

Marinarët u munduan të shuajnë zjarrin

Tre marinarë shqiptarë kanë mbetur të plagosur, kur anija ku ata udhëtonin është përfshirë nga flakët. Fatmirësisht, ndërhyrja e shpejtë e forcave të Policisë Kufitare, si dhe “Guardia di Financas” ka larguar nga bordi i anijes ekuipazhin, ndërsa ka mundur të vërë nën kontroll flakët e zjarrit. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme 10 milje larg portit të Durrësit, pikërisht në afërsi të Kepit të Selitës, kur anija cisternë panameze “Evangelis G”, është përfshirë nga një zjarr i rënë në rrethana ende të paqarta dhe për pasojë, 10 marinarët e saj shqiptarë janë gjendur të izoluar. Në këtë situatë, marinarët janë munduar të shuajnë zjarrin, por tre prej tyre, Bujar Bejko, 41 vjeç, Alban Lika, 36 vjeç dhe Nexhmi Vora, 51 vjeç, kanë mbetur të plagosur. Ndërkohë, në ndihmë të tyre kanë shkuar forca të Policisë Kufitare dhe ato të “Guardia di Financas”, që brenda një kohe të shkurtër kanë mundur të evakuojnë ekuipazhin dhe të vënë nën kontroll zjarrin. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë për në spitalin e Durrësit, ndërsa policia tashmë ka filluar hetimet për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit në anije. Sakaq, mësohet se anija “Evangjelis G” kishte ardhur nga Greqia që në datën 4 korrik të këtij muaji, dhe se kishte shkarkuar në portin e Durrësit një sasi prej rreth 1226 ton benzinë. Në momentin e incidentit, anija 3041-tonëshe me flamur panamez, po udhëtonte për në drejtim të portit të Vlorës.

Tre marinarë janë plagosur si pasojë e një zjarri të rënë në bordin e anijes cisternë "Evangjelis G" 10 milje nga porti i Durrësit. Sipas të dhënave të autoriteteve portale, mësohet se marinarët Bujar Bejko, Alban Lika dhe Nexhmi Vora, kanë pësuar djegie të rënda dhe njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Për ngjarjen, mësohet se anija e tonazhit të rëndë, ishte nisur në orën 11:00 të paradites në drejtim të Vlorës, kur brenda pak minutash është parë që prej andej të dalë një tym i zi. Në këtë kohë, autoritetet portale kanë nisur menjëherë forcat e marinës kufitare, si dhe ata të “Guardia di Financas”. Nga ana tjetër, në bordin e anijes në flakë marinarët kishin nisur luftën me zjarrin. Sipas të dhënave policore, në momentin e mbërritjes së tyre në “Evangjelis G”, flakët pothuajse ishin vënë nën kontroll, por për pasojë kishin mbetur të dëmtuar tre prej marinarëve të ekuipazhit.

Ata janë dërguar me urgjencë në spital, ndërsa autoritetet portale thanë pas ngjarjes se për fat anija nuk ishte e ngarkuar me karburant, pasi e kishte shkarkuar atë në portin e Durrësit.

Ekuipazhi, marinarët shqiptarë

Bujar Bejko, 41 vjeç, i plagosur

Alban Lika, 36 vjeç, i plagosur

Nexhmi Vora, 51 vjeç, i plagosur

Lulzim Nuhu, kapiten

Lulzim Bashari

Llukman Bilali

Ilir Marianaku

Altin Kukaj

Haki Sheqi

Marsel Xharo

“Discover”

Shkodër, asgjësohen 1.238 rrënjë kanabis sativa

Të ndarë në 6 grupe, 34 efektivë të policisë së Shkodrës kanë organizuar një ditë më parë një operacion për asgjësimin e bimëve narkotike në fshatrat përreth qytetit. Si rezultat, është bërë i mundur asgjësimi në total i plot 1.238 rrënjë bimëve narkotike kanabis sativa, ndërkohë që policia ka filluar hetimin për identifikimin dhe kapjen e autorëve përgjegjës. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, Fatbardha Çepelja, sipas së cilës, në kuadër të operacionit të koduar “Discover”, në fshatin Barcollë të Komunës Shllak, në territor të hapur nëpërmjet shpyllëzimit, në tokë pa pronarë të ligjshëm, janë identifikuar dy parcela pranë njëra-tjetrës me 385 rrënjë bimë, me karakteristika të ngjashme me ato të bimës narkotike kanabis sativa. Po kështu, në fshatin Kroi i Madh, në një territor të shpyllëzuar, në tokë pa pronarë të ligjshëm, janë identifikuar dy parcela me 405 rrënjë kanabis, ndërsa dhe në fshatin Benë, është identifikuar një parcelë me 195 rrënjë kanabis. Gjithashtu, Çepelja ka thënë se në vendin e quajtur “Çeta e Pal Kolës” janë asgjësuar 253 rrënjë kanabis. Për këto, nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e para procedurale dhe materialet e mbledhura gjatë operacionit të koduar “Discover”, do t’i kalojnë Prokurorisë për veprën penale, pa autorë, të “kultivimit të bimëve narkotike”. Policia tha se tashmë po punohet për identifikimin e autorëve.

Kakavijë

Në 36 orët e fundit futen 5.000 emigrantë

Gjatë 36 orëve të fundit, në pikën kufitare të Kakavijës, kanë qarkulluar në të dyja anët e kufirit rreth 5 mijë emigrantë shqiptarë, si dhe 150 shtetas të huaj. Shifrat janë bërë të ditura një ditë më parë nga përgjegjësi i pikës kufitare të Kakavijës, Elton Papa, i cili u shpreh se autoritetet kufitarë kanë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e emigrantëve shqiptarë, që pritet të vijnë gjatë 15-ditëshit të parë të këtij muaj. Ai tha aktualisht se janë në gjendje pune katër sportele, dy në dalje dhe dy në hyrje. Gjithashtu, Papa pohoi se problemi që u shfaq dje në doganën greke, me radhë të gjata, erdhi si pasojë e mosrespektimit të orarit nga drejtuesit e automjeteve të vogla. “Sipas marrëveshjes dypalëshe, prej orës 02:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, në të dyja anët e kufirit kontrollorët u japin prioritet autobusëve dhe shërbimit taksi. Por, një gjë e tillë nuk u respektua nga drejtuesit e automjeteve të vogla, të cilët shkaktuan anomali në orët e para të mëngjesit”, - theksoi përgjegjësi i pikës kufitare të Kakavijës, Elton Papa. Ndërkohë, mësohet se në pikën kufitare “Tre Urat” në rrethin e Përmetit, rreth 150 shtetas kanë qarkulluar në të dyja anët e kufirit.

Kapshticë

Shtohet numri i emigrantëve që kthehen në atdhe

Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës (Devoll), gjatë ditëve të para të muajit korrik është shtuar fluksi i ardhjes së emigrantëve, për të kaluar pushimet e verës në Shqipëri. Një ditë më parë, komandanti i Policisë Kufitare në Kapshticë, Qamil Zhgaba, tha se rreth 400 emigrantë kanë hyrë vetëm gjatë ditës së shtunë dhe të diel në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Sipas tij, është ende herët për të pritur një fluks emigrantësh, pasi si çdo vit pjesa më e madhe e tyre preferojnë të vijnë në periudhën 15 korrik-15 gusht. Po kështu, Zhgaba ka bërë të ditur se Policia Kufitare në Kapshticë ka marrë të gjitha masat për përballimin e fluksit të emigrantëve, në mënyrë që të mos krijohen pengesa për qëndrim me orë të zgjatura gjatë kryerjes së procedurave të kalimit të kufirit, edhe pse nuk ka lëvizje të mëdha të qarkullimit ndërkufitar. Sipas tij, do të funksionojnë sportele shtesë dhe shërbime të përforcuara të policisë për pritjen e emigrantëve dhe krijimin e lehtësirave të kalimit të kufirit. Aktualisht, nga pala shqiptare punohet me 2-3 sportele për të kryer procedurat e kalimit kufitar për emigrantë, ndërsa me shtimin e numrit të të ardhurve nga Greqia, janë parashikuar të funksionojnë deri në 5 sportele për hyrjen e tyre në Shqipëri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›