E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekrutimi me forcë, protestojnë prindërit

Prej ditësh policia ushtarake në bashkëpunim me policinë e rendit, pasi kanë konkluduar dhe me degët ushtarake të rekrutëve në disa qytete të Shqipërisë kanë ndërmarrë një aksion të gjerë për grumbullimin e të rinjve për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Qindra të rinj të moshave nga 19 në 25 vjeç janë marrë forcërisht nga policia e rendit dhe ajo ushtarake dhe janë dërguar tashmë në bazën e Bunavisë, në Vlorë. Të rinjtë janë mbledhur në rrugë, në dyqane, në makina, linja urbane, në punë, në spital, në shkollë dhe kudo. Aksioni fillon në orën 5:30 të mëngjesit dhe përfundon në orët e vona të mbrëmjes. Rreth 100 persona janë dërguar vetëm dje në bazën e Bunavisë ku rekrutët kryejnë dy muajt e parë të stërvitjes për t‘u shpërndarë pastaj në reparte ushtarake në të gjithë vendin. Familjarët e këtyre personave, të cilët janë marrë forcërisht për të kryer shërbimin ushtarak janë mbledhur dje në dyert e repartit të Bunavisë për të kërkuar lirimin e djemve. Prindërit tregojnë se askush nuk i ka njoftuar për marrjen me forcë të fëmijëve dhe dërgimin e tyre në Bunavi. Një prind tregon se djalin e tij e kanë marrë zvarrë nga shtëpia që në orët e para të mëngjesit, sikur të ishte kriminel. Të tjerë ankohen se fëmijët e tyre janë marrë nëpër rrugët e qytetit dhe për rreth katër ditë familjet nuk kanë pasur asnjë informacion. Ata kanë bërë denoncimet në polici për zhdukjen e djemve dhe vetëm pas kësaj kanë mësuar se djemtë ishin marrë me forcë për t‘u çuar ushtarë. "Nuk kisha asnjë lajm për djalin. Bëra denoncim në polici për zhdukje dhe vetëm pas katër ditësh, një fqinji im më tha se djalin e kishin marrë ushtar. Ndërkohë, në shtëpi ishte hapur vaji dhe gratë ishin veshur me të zeza", tregon një nga burrat që ka zënë vend përpara derës së Bazës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Bunavi. Një tjetër prind tregon se djalit sa i kishte prerë ditën e dasmës për në datën 1 shkurt, por e kishin marrë me forcë ndërsa udhëtonte në Greqi, ku kishte shkuar të merrte rrogën e prapambetur, që i duhej për dasmën. Historitë janë të shumta dhe personazhet nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, që nga Shkodra deri në Sarandë. Ndërkohë, përfaqësues të bazës ushtarake të Bunavisë dhe të policisë ushtarake nuk pranojnë të bëjnë asnjë koment për këtë situatë. Në degët e mobilizimit në rrethe, zyrtarët thonë se të gjithë të rinjtë që janë rekrutuar me forcë ishin njoftuar më parë, por nuk i ishin përgjigjur thirrjes. Viti 2009 është i fundit kur shërbimi ushtarak do të jetë i detyruar dhe kjo ka bërë që degët e mobilizimit të gjenden në vështirësi, pasi askush nuk shkon vullnetarisht nën armë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›