E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilla e mjekëve: Kujdes nga temperaturat e larta

Temperaturat e larta të fund-gushtit kanë ndikuar në rritjen e numrit të qytetarëve, të cilët i drejtohen Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" me simptoma të stinës. Burime nga QSUT bënë të ditur se në Spitalin Pediatrik pranë QSUT-së paraqiten rreth 200-230 pacientë të vegjël në ditë, me simptoma të stinës. Pasi marrin ndihmën e duhur  dhe këshillat përkatëse pacientët  largohen, thanë mjekët. Sipas të njëjtave burime, pranë Spitalit Infektiv paraqiten rreth 100 pacientë, ndërsa në shërbimin e Kardiologjisë rreth 100-150 pacientë.  Mjekët bëjnë apel të tregohet kujdes me ushqimet që konsumohen, të cilat duhet të sigurohen në se janë apo jo të kontrolluara dhe të sigurta. Ata këshillojnë konsumimin e sa më shumë lëngjeve, deri 2 litra ujë në ditë, fruta dhe zarzavate. Kujdes duhet të tregohet për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzana e të sëmurët kronikë. 

Evitimi i lëvizjeve dhe aktiviteteve fizike intensive nga ora 11.00 deri në orën 16.00, është një tjetër këshillë për të gjithë njerëzit në kushtet e temperaturave të larta. Reduktimi i sforcove fizike në orët më të nxehta të ditës dhe mbajtja e kapeles apo çadrës, në raste të daljes në rrugë, mbajtja e rrobave të gjëra, të lehta, me ngjyra të çelura (mundësisht prej pambuku) janë të tjera këshilla që japin mjekët. 

Ndërsa, disa nga masat që duhen të merren për parandalimin e infeksioneve dhe virozave janë konsumimi i ujit të sigurtë (të blerë ose të zier nga çezma, kur nuk jemi të sigurtë për cilësinë e tij), larja e vazhdueshme e duarve, ruajta e ushqimeve në frigorifer apo në vende të freskëta, konsumim i freskët i ushqimeve sidomos atyre me përmbajtje bulmetrash, vezësh, mishit, etj. Por, ajo ç’ka vihet re është dhe shtimi i vizitave në repartin e Dermatologjisë në QSUT, për shkak të problemeve në lëkurë. Shezlongët mund të jenë bartës të infeksioneve në lëkurë nga njëri person tek tjetri", thanë burimet, ndërsa theksojnë se menaxhuesit e ambienteve të plazheve dhe pishinave duhet të dizinfektojnë edhe shezlongët, krahas masave të tjera që kanë marrë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›