E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia Kufitare Bregdetare në Durrës shpëton 4 pushues nga mbytja

Katër pushues kanë shpëtuar nga mbytja në det, falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë kufitare bregdetare. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, por detajet e saj janë bërë të njohura vetëm sot në mesditë. Drejtori i policisë rajonale të kufirit dhe migracionit, Naim Manuka, tha se katër pushuesit nga qyteti i Gramshit, me moshë nga 9-24 vjeç, kishin dalë për të shëtitur me barkë-pedalo në plazhin e Golemit. Elvis Hida, 9 vjeç, Ervis Balla, 24 vjeç, Adrian Visha, 21 vjeç dhe Eli Berja, 10 vjeç, janë gjetur në ujë nga mjeti lundrues gomone D-62 i policisë kufitare bregdetare pasi barka e tyre ishte përmbysur, u shpreh Manuka. Sipas drejtorit të policisë rajonale të kufirit dhe migracionit, gjithçka ka nisur dje rreth orës 12.45 pas një telefonate në stacionin e policisë kufitare se në plazhin e Golemit, përballë hotel “Murrizit”, një barkë me pushues ndodhej në vështirësi. Fatmirësisht të katër pushuesit janë gjetur brenda pak minutash rreth 300 metra larg bregut dhe gjendja e tyre shëndetësore ishte e mirë. Manuka tha se shpesh herë pushuesit largohen shumë nga bregu dhe i mbushin barkat e vogla pedalo jashtë kapacitetit deri në 10-12 vetë, çka rrezikon seriozisht jetën e tyre. Ai shtoi se bregdeti i Durrësit, nga ura e Djlanit deri në Malin e Robit, për afro 10 km kontrollohet vazhdimisht nga mjetet lundruese të policisë kufitare në shërbim të sigurisë së pushuesve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›