Revoltë në Gjirokastër ndaj çiftit të “politikës së re” Edvin Rama-Flamur Bime
Ndaj kryebashkiakut të Gjirokastrës dhe Edvinit, të ardhur me muhaxhirë politikë nga Tirana ka shpërthyer dje një protestë e socialistëve vendorë. Në emër të tyre, Viktor Çela e ka akuzuar dyshen se po shkatërrojnë Gjirokastrën dhe të gjithë Shqipërinë
TIRANE - Edi Rama dhe të korruptuarit që e presin dhe e shoqërojnë nëpër takimet me “vullnetarët” nëpër rrethe, irritojnë anëtarësinë dhe simpatizantët e vetë Partisë Socialiste.
Rasti më i fundit dhe më flagranti ka ndodhur dje në Gjirokastër, ku në takimin e radhës në Kinoteatrin “Zihni Sako” të qytetit të Gjirokastrës, shoqërimi i kryetarit të PS-ës Edi Rama me kryetarin e bashkisë së Gjirokastrës Flamur Bime, ka shkaktuar pakënaqësi në radhët pjesëmarrësve në takim, ndërsa pjesëmarrësit nuk kanë fshehur edhe reagimet e tyre ndaj shoqërimit të Ramës nga persona të korruptuar, drejtues të pushtetit vendor.
Përballë, reagimit në masë të pjesëmarrësve në sallë irritimi dhe reagimi i qytetarit gjirokastrit Viktor Çela, një militant i njohur socialist për këtë qytet, ka vënë në pozitë të vështirë, jo vetëm Edi Ramën, por edhe personat e ngarkuar për ruajtjen e mbarëvajtjes së takimit me “vullnetarët”.
Në momentin që në podium ka hipur kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Bime, kur ai fliste për zhvillimin që sipas tij kishte pësuar qyteti, qytetari Viktor Çela ka derdhur një lum akuzash mbi atë.
“Flamur Bime, ti je një kriminel. Ti shkatërrove Gjirokastrën”, ju drejtua Çela me zë të lartë kryebashkiakut Bime, në prani edhe të kryesocialistit Rama.
Pas kësaj janë dashur disa çaste që ruajtësit e rregullit në sallë, të normalizojnë situatën.
Reagimi i djeshëm qytetar në Gjirokastër, ka arritur kulmin pas tragjedisë së 9 nëntorit të vitit që shkoi në lagjen “11 Janari” të këtij qyteti, kur nga lejet pa kriter për ndërtime pallatesh, të dhëna nga kryebashkiaku Flamur Bime, një pallat u rrëzua, duke shkaktuar tri viktima, disa të plagosur dhe duke lënë 18 familje pa strehë.
Ndërkohë, vetë Edi Rama, që prej ngjitjes së tij në krye të PS-ës, ka bërë pjesë të “politikës së re”, lidhjet e tij me persona të korruptuar, apo edhe me persona me lidhje të ngushta, deri dhe familjare, me ish-regjimin diktatorial të para vitit 1990. Ndërsa në Gjirokastër anëtarë e simpatizantë reagojnë për lidhjet e Edi Ramës me të përfolurit lokal, si të lidhur me korrupsionin, në Tiranë denoncohen për ditë, publikisht edhe në media, lidhjet personale të kryesocialistit me drejtues të nomenklaturës komuniste. Në kontekst të këtyre Edi Rama nuk resht as së tentuar riciklimin edhe për të tjera persona me lidhje me ish-regjimin diktatorial. “Promovimi” së fundi i Ilir Gjonit, të birit të Xhelil Gjonit, emër i njohur për Tiranën e para vitit 1990, është denoncimi më i fundit që i bëhet Edi Ramës, për lidhjet me ish-regjimin komunist.
Takimit i djeshëm i Edi Ramës në Gjirokastër, nuk ka ndryshuar ka takimet e tij me “vullnetarët” nëpër qytetet të ndryshme. I vetmi ndryshim në Gjirokastër, ishte ndryshimi i shoqëruesve të tij, si shembull të “politikës së re”. Kështu në Gjirokastër, por edhe Tepelenë e Përmet, Edi Rama, ndërsa ju fliste “vullnetarëve” në sallë, për politikën e re, “si shembull të gjallë” ju servirte Gramoz Ruçin.
Për sa i ëprket pjesës tjetër të takimeve, Edi Rama vajti në Gjirokastër, Tepelenë e Përmet, foli sa desh, ndërsa “vullnetarët” që ai i merr me autobusë ngado që vete, nuk harruan edhe dje të bënin rolin e dirigjimit të brohorimave e ulërimave në sallë.