Rama i ka ditët të numëruara në PS, pas 28 qershorit do jetë vetëm kryetar i partisë së bashkisë
Kryeministri Berisha përuron zgjerimin e aksit Plepa-Rrogozhinë, premton rrugë të reja, paga dhe pensione të larta dhe shpreh bindjen se elektorati nuk mund të mbështesë të majtën, pasi kthimi majtas, do të ishte kthim prapa
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha, deklaroi dje se kthimi majtas është kthim prapa. Kreu i qeverisë e bëri këtë deklaratë gjatë inaugurimit të fillimit të punimeve për zgjerimin me katër korsi të rrugës Plepa-Rrogozhinë, ku renditi dhe vlerësoi punën e qeverisë së drejtuar prej tij, brenda mandatit të parë, që bëri të mundur ndryshimin e Shqipërisë.
“Unë shpalla këtu disa nga përparësitë, të tjerat janë në përpunim dhe të gatshme, por biem dakord që kthimi majtas është kthim prapa. Shikoni atë copë autostradë që kanë ndërtuar Vorë-Durrës, se si është bërë tërë arna. Kthimi majtas është kthim prapa”, tha Berisha.
Shefi i ekzekutivit tha më tej, duke iu referuar avangarditetit të së majtës dhe kryesisht të Partisë Socialiste dhe liderit të saj, se ditët e tij në krye të partisë janë të numëruara, për të mbetur më pas vetëm kryetar i partisë së bashkisë.
“I kanë mbetur 132 ditë, shikoni rrugët si i ka bërë me arna, nuk kalon dot as buxhetin, siç thotë dhe media e ka shndërruar në Koço-buxhet. Por edhe aty do ta ketë të vështirë sepse buxhetin s’po e kalon dot, mirëpo qytetarët duan buxhet për qytetarët dhe jo për kryetarin e Bashkisë”, tha kreu i ekzekutivit.
Shqipëria do ketë rrugët më moderne dhe të reja në rajon
Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Berisha inauguroi dje fillimin e punimeve për zgjerimin me katër korsi të rrugës Plepa-Rrogozhinë, e cila përbën një nga segmentet më të rëndësishme të autostradës kryesore të vendit, që do të shtrihet nga Shkodra deri në Vlorë.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha tha se kjo qeveri është e vendosur t’i japë Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë, rrjetin rrugor më modern në rajon.
“Në vitin 2009 ne nisim projektet e mëdha të mandatit të dytë, projekte, të cilat do të lidhin Shkodrën dhe Vlorën me autostradë me katër korsi, projekte, të cilat do të lidhin Tiranën me Tepelenën me aksin qendror të Jugut që shkurton distancën mbi 120 km me Sarandën , projekte, të cilat do të lidhin Bllatën me Tiranën si rruga e Arbrit që shkurton distancën Peshkopi-Tiranë, Shkup-Tiranë me mbi 100 km. Projekt tjetër madhor është Qafë Plloçë-Qukës, i cili shkurton distancën Korçë-Tiranë me 30 km dhe së fundi Fierzë-Koman”, u shpreh kryeministri Berisha duke iu referuar disa prej projekteve rrugore kryesore për vitet në vazhdim.
Shefi i qeverisë garantoi se rrugët e gjata e të mundimshme të akseve tona kombëtare, do të zëvendësohen me rrugët më të shkurtra, më të reja dhe më moderne.
“Në mandatin e dytë të kësaj qeverie, jemi të vendosur të asfaltojmë, të sistemojmë mijëra e mijëra km rrugë rurale. Zhvillimi i qëndrueshëm rural, ndërtimi i rrugëve, ujësjellësve kanalizimeve, shkollave moderne mbeten përparësia jonë më madhore, kushti vendimtar që ju dhe fëmijët tuaj të jetoni në një vend të zhvilluar”, nënvizoi Berisha.
Prioriteti madhor i mandatit të dytë, rritja e pagave dhe pensioneve
Një prioritet madhor i kësaj qeverie gjatë mandatit të dytë do të jetë përqendrimi në rritjen e rrogave dhe pensioneve.
Kreu i qeverisë theksoi se vetëm brenda një mandati qeverisë, qeveria e djathtë bëri të mundur dyfishimin e pagave dhe pensioneve dhe rritja e radhës pritet të realizohet më 1 maj të këtij viti.
“Le të pyesin veten mësuesit shqiptarë sa merrni në 2005 sa marrin tani dhe do marrin më 1 maj të këtij viti. Kthimi majtas është kthim prapa. Le të pyesin veten pensionistët shqiptarë sa merrnin në 2005 dhe sa marrin tani. Kthimi majtas është kthim prapa, le të pyesin veten nxënësit shqiptarë, si i kishin shkollat tre vite më parë dhe si i kanë sot me kabinete informatike dhe interneti. Unë kam besim të madh në mençurinë tuaj, kam besim se ju do të vazhdoni të votoni për ndryshimin e Shqipërisë. Shqipëria po ndryshon më shpejt se çdo vend tjetër. Shqipëria anëtarësohet së shpejti në NATO, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit përfundoi e firmosur nga 27 vende të Bashkimit Europian. Kurrë ndonjëherë emri dhe prestigji ynë nuk ka qenë më i mirë dhe më i madh në rajon dhe në botë”, u shpreh Berisha.
Në këtë kuadër kreu i qeverisë Sali Berisha garanton qytetarët se për sa kohë të votojnë këtë qeveri, nuk do të ketë qëllim më të madh se sa rritja e rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve.
“Mandati i dytë i kësaj qeverie do të jetë i përqendruar tek rrogat dhe pensionet, dua t’u garantoj ju se për sa kohë të mbetem në qeveri dhe të më votoni, nuk do të kem qëllim më të madh se rritjen e rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve”, tha Berisha.
“Kjo qeveri, shtoi kryeministri, në një përballje të egër me korrupsionin do të mobilizojë gjatë katër viteve të ardhshme fonde shumë herë më të mëdha, për rritjen e rrogave e pensioneve, për rrugët, për ujësjellësit, kanalizimet, për qendrat shëndetësore dhe spitalet, për shkollat, për tregjet me besimin se në këtë mënyrë u shërbehet më mirë interesave, halleve dhe problemeve të qytetarëve shqiptarë”.
Gjatë mandatit të dytë, reformë të thellë në sistemin shëndetësor
Gjithashtu kryeministri Berisha garantoi se gjatë mandatit të dytë, qeveria do të përqendrohet në një reformë të thellë shëndetësore, për të vendosur në vend sistemin shëndetësor më efikas, më human dhe më kompetent në rajon.
“Mandati i dytë i qeverisë sime do të përqendrohet tërësisht në një reformë të thellë shëndetësore, e cila ka nisur këtë vit. Unë ju garantoj se qeveria do të vendosë në këtë vend sistemin më efikas, më human më kompetent shëndetësor në rajon. Reforma ka nisur. Reforma e shëndetësisë është për çdo vend reforma më e vështirë, por ne e kemi nisur. Me datën 1 maj të këtij viti, çdo infermier në këtë vend do të marrë mbi dy herë më shumë se sa merrte në 2005, çdo mjek i këtij vendi do të marrë mbi dy herë më shumë se sa merrte në 2005, ndërkohë kjo reformë do të shtrijë për qytetarët e vendit shërbimet më të mira, më moderne në mënyrë që t’u jepet përgjigja më e mirë problemeve shëndetësore, të fëmijëve, grave, burrave, të moshuarve”, u shpreh Berisha.