Zbulohet natyra e koalicionit të së djathtës - PAD në koalicion me PD-në, por me lista të veçanta kandidatësh
Ceka: “Unë e nënshkrova marrëveshjen për koalicion me Berishën. Sot fusha politike është e ç’manjetizuar, s’ka pole, nuk dimë ku është e majta dhe e djathta. Në këtë klimë të re politike, ende e pa u çliruar nga protagonizmi, Aleanca është e orientuar nga interesi elektoral, nga objektivi për të qenë e përfaqësuar denjësisht në Parlament”
TIRANE - Kreu i PAD-së Neritan Ceka bën publike negociatat dhe arsyet që e çuan drejt koalicionit me Sali Berishën. Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, Ceka ka deklaruar se PD ishte e vetmja parti që premtoi të krijonte zona të lira për PAD-në në qarqe të caktuara.
Ndërkaq sipas Neritan Cekës, alternativa e bashkëpunimit me LSI-në është rrëzuar për shkak se propozimi i të majtës për integrim parashikonte një koalicion të përbërë, me lista të veçanta.
“Aleancistët janë pak, por s’janë ushtarë, por gjeneralë, dhe gjeneralët nuk rreshtohen me ushtritë e huaja”.
Kështu ka dashur ta përkufizojë kryetari i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, koalicionin me të djathtën politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sipas tij, spektri që drejton ka zgjedhur rrugën që forcon prezencën në Parlament dhe pushtetin ekzekutiv.
“Unë e nënshkrova marrëveshjen për koalicion me Berishën. Sot fusha politike është e ç’manjetizuar, s’ka pole, nuk dimë ku është e majta dhe e djathta. Në këtë klimë të re politike, ende e pa u çliruar nga protagonizmi, Aleanca është e orientuar nga interesi elektoral, nga objektivi për të qenë e përfaqësuar denjësisht në Parlament”, u shpreh Ceka.
Kështu Aleanca Demokratike, sipas Cekës mund të identifikohet si një forcë e veçantë e spektrit politik, që e distancon atë nga e majta dhe e djathta, duke pasur ndikim minimal nga rotacionet e ardhshme politike.