Zhduket pistoleta e vrasjes
Fatos Mahmutaj
Zbardhet vrasja e të riut në Laprakë, policia prangos autorin, ndërsa shpall në kërkim Arben Bashën, i cili ka marrë armën e krimit nga vendi i ngjarjes dhe është zhdukur. Pas arrestimit të autorit është shpallur në kërkim dëshmitari kryesor i ngjarjes, i cili ka marrë me vete edhe armën e krimit. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit pohuan se kanë vënë në pranga 22-vjeçarin Donald Pregapuca, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë, i akuzuar për vrasjen e 23-vjeçarit kryeqytetas Edvil Koço. Sipas policisë, arrestimi i tij u bë nga efektivët e seksionit të Luftës Kundër Jetës dhe Shëndetit, pasi dyshohet të jetë autori i vrasjes së dy ditëve më parë. Rreth orës 15:30 të së mërkurës, në ambientet e një dyqani që shërbente për tregtimin e pjesëve të këmbimit të automjeteve në Laprakë, u qëllua me pistoletë në kokë 23-vjeçari Koço. Shkak për krimin, sipas policisë, dyshohen motivet e dobëta pas një konflikti të çastit, kur Pregapuca ka qëlluar me pistoletë Koçon. Pas goditjes me plumb në kokë, 23-vjeçari Koço u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku si pasojë e plagës së marrë në pjesën e përparme të kokës ka gjetur vdekjen. Ndërkohë, grupi hetimor i formuar për këtë qëllim ka këqyrur vendngjarjen dhe ka kryer të gjitha veprimet hetimore e procedurale, si dhe u administruan të gjitha provat. Policia pohon se në sajë të një hetimi të kryer nga specialistë të Seksionit të Antikrimit, ka rezultuar se 25-vjeçari Arben Basha dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë momenteve të ndodhjes së ngjarjes dhe ka marrë armën e kryerjes së krimit, e më pas është larguar, ndërsa nga të gjitha strukturat e hetimit të krimit po punohet intensivisht për kapjen e tij, tashmë i identifikuar. Po dje, policia pohoi se materialet do t'i kalojnë Prokurorisë së Tiranës, për 22-vjeçarin përmetar Donald Pregapuca, i dyshuar të ketë konsumuar veprat penale "vrasje me dashje" dhe "armëmbajtje pa leje", kurse për Arben Bashën, janë ngritur akuzat "përkrahje e autorit të krimit" dhe "armëmbajtje pa leje", ndërkohë që është lëshuar urdhër-arresti për të. Dy ditë më parë, menjëherë pas krimit, i arrestuari Pregapuca nuk tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes, por qëndroi në pritje të policëve që i vunë prangat. Menjëherë pas prangosjes ai ka rrëfyer para policëve se ai ishte autori i krimit, por që gjithçka kishte ndodhur aksidentalisht dhe se ky nuk kishte pasur aspak qëllimin për të vrarë 23-vjeçarin Edvil Koço. Zhdukja e armës së krimit nga i akuzuari Arben Basha, ka bërë që policia të hedhë dyshime për vrasjen dhe për mënyrën e servisjes së ngjarjes nga i arrestuari. Ai është rimarrë disa herë në pyetje, ku çdo herë paraqiste një version të ndryshëm të ngjarjes, ndërsa janë pyetur edhe dëshmitarë të tjerë që kanë dhënë deklarime të ndryshme, krahasuar me ato të autorit.